LajmeRajon

Qalaj: Policia e Kosovës s’është kontaktuar kurrë nga Dhomat e Specializuara në Hagë

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj është duke dëshmuar sot në Gjykatën Speciale në Hagë për rastin e gjykimit të ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ai tha se që nga koha sa ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës kanë pasur vazhdimisht bashkëpunim me misionet ndërkombëtare që kanë ndihmuar policinë.

“Unë që nga momenti kur jam bërë polic, e dini që fillimisht policia ka qenë e udhëhequr fillimisht nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut dhe deri diku në 2-3 vitet e fundit kemi punuar ngushtë me kolegët tanë të misioneve të ndryshme që kanë qenë në Kosovë. Fillimisht me kolegët e misionit të UNMIK-it që kanë qenë në Kosovë e pastaj edhe me kolegët e misionit EULEX që ende gjenden në Kosovë, e poashtu edhe me pjesëtarët e KFOR-it”, ka thënë Qalaj.

Më tutje, ai tha se në rastin e bastisjeve të EULEX-it dhe arrestimit të disa zyrtarëve në Kosovë nga Gjykata Speciale, ka qenë hera e parë kur Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjë komunikim me kolegë ndërkombëtar.

“Jo. Edhe në të kaluarën ka pasur sidomos në vitet e para të krijimit të Policisë së Kosovës ka pasur raste që janë hetuar vetëm nga policia e UNMIK-ut për shkak se policia ishte në formim e sipër dhe s’ka pasur kapacitete të zhvilluara. Që nga shpallja e pavarësisë e tutje në shumicën e rasteve ka qenë Policia e Kosovës ajo që është marrë me shumicën e rasteve në bashkëpunim me kolegët tanë ndërkombëtar. Kjo është hera e parë që PK-ja nuk ka pasur as një komunikim të vetëm me Dhomat e Specializuara që janë këtu në Hagë”, deklaroi Qalaj në Speciale.

Qalaj tregoi se në takim me misionet ndërkombëtare ka kërkuar vazhdimisht që të njoftohen në rast se ka ndonjë operacion ose bastisje nga misioni ndërkombëtar në Kosovë, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Unë kam pasur disa takime me partnerët ndërkombëtar përfshirë edhe me misionin e EULEX-it. Kemi diskutuar edhe për çështjen e Dhomave të Specializuar këtu në Hagë dhe kam kërkuar që në çdo rast nëse ka ndonjë vendim nga Dhomat e Specializuara, për ndonjë operacion, bastisje, arrestim në Kosovë, me këto të merret Policia e Kosovës bazuar në Ligjin mbi Policinë e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se është telefonuar nga dikush i Speciales vetëm për t’u falënderuar për asistencën që ka bërë PK-ja në kohën e arrestimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt me 25 shtator të 2020-ës.

“Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur ndonjë kontakt, absolutisht të vetëm. Asnjë bisedë telefonike, as komunikim me shkrim. I vetmi komunikim ka qenë se më ka thirr dikush në telefon një ditë pasi është arrestuar z.Haradinaj. ajo thirrje telefonike ka qenë falënderim për ofrimin e asistencë me datë 25 shtator, atëherë kur PK-ja është angazhuar për ta menaxhuar turmën që ishin mbledhur para OVL-UÇK-së”, deklaroi ai.

Related Articles

Back to top button
Close
Close