
20 shishet e vodkës që presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi si dhuratë për ditëlindje ish-liderit italian, Silvio Berlusconi, kanë shkelur sanksionet e vendosura pas pushtimit të Ukrainës, ka thënë Komisioni Evropian.
“Për ditëlindjen time ai më dërgoi 20 shishe vodka dhe një letër shumë të ëmbël”, tha Berlusconi, i cili mbushi 86 vjeç muajin e kaluar, për ligjvënësit e tij, sipas audios së publikuar nga agjencia e lajmeve “LaPresse”, shkruan “Skynews”.
Një paketë sanksionesh e Komisionit Evropian e rënë dakord në prill zgjati një ndalim të importit të mallrave ruse përfshirë pije alkoolike si vodka, tha një zëdhënës i Komisionit në një deklaratë, duke shtuar se nuk kishte asnjë përjashtim për dhuratat.
Duke iu përgjigjur komenteve të raportuara nga Berlusconi për Putinin dhe luftën në Ukrainë, Giorgia Meloni, e cila pritet të jetë kryeministrja e ardhshme e Italisë, tha të mërkurën se qeveria e saj e re do të jetë pro NATO-s dhe plotësisht pjesë e Evropës.



