LajmeMaqedoni

Miliona euro pa garanci! Revizioni i BE-së kritika për Korridorin VIII

Maqedonia, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, rrezikon të mos e arrijë objektivin brenda vitit 2030 për lidhjen e saj me rrjetin kryesor evropian të transportit. Nga mungesa e marrëveshjes me Bullgarinë deri te ridizajnimi i urave, revizioni i BE-së zbulon një sërë problemesh në projektin e Korridorit VIII në Maqedoninë e Veriut. Raporti paralajmëron se afati i vitit 2030 është vështirë të respektohet.

Viti 2030, i përcaktuar si afat për përfundimin e rrjetit bazë evropian të transportit në Ballkanin Perëndimor ka pak gjasa të arrihet. Maqedonia, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, rrezikon të mos e arrijë objektivin brenda vitit 2030 për lidhjen e saj me rrjetin kryesor evropian të transportit. Shkak janë vonesat në zbatimin e projekteve, mangësive në përzgjedhjen e tyre dhe problemeve me mbikëqyrjen. Kështu konstatohet në një raport të ri të Gjykatës Evropiane të Revizorëve, ECA, i cili vlerësoi se projektet e transportit në rajon po përparojnë me ritme shumë më të ngadalta nga sa kërkohet për përmbushjen e objektivave të kësaj dekade, shkruan gazeta KOHA. Sipas revizorëve, në pjesën e vërejtjeve për Maqedoninë është konstatuar se Bordi Operacional miratoi grantin edhe pse segmenti hekurudhor në Maqedoninë e Veriut nuk ishte i lidhur me vendin fqinj (Bullgarinë) dhe se në momentin e miratimit të grantit nuk ekzistonte një marrëveshje me vendin fqinj që të garantonte funksionimin e plotë të korridorit.

Si rezultat, u financua një segment që nuk siguronte funksionimin e të gjithë korridorit ndërkombëtar. Projekti u miratua pa qenë mjaftueshëm i gatshëm. Raporti kritikon faktin se projekti u miratua edhe pse nuk ishte mjaftueshëm i përgatitur për zbatim. Komisioni Evropian nuk i kushtoi rëndësi të mjaftueshme gatishmërisë së projektit gjatë procesit të përzgjedhjes. Kjo ishte një nga arsyet kryesore të vonesave të mëvonshme.

Nga ana tjetër, projekti ishte me prioritet të ulët në listën kombëtare të prioriteteve, megjithatë, u miratua sepse u konsiderua se ishte gati për zbatim. Në praktikë kjo nuk rezultoi e vërtetë, pasi projekti filloi më shumë se një vit me vonesë. Raporti evidenton se projekti ishte ndër ato që u miratuan pa një projekt të detajuar të validuar, që u pasuan me ndryshime në projektim, gjë që solli vonesa shtesë.

“Në përgjithësi, arrijmë në përfundimin se Komisioni ka siguruar që WBIF të kontribuojë në zgjerimin e rrjetit bazë evropian të transportit, pasi projektet e financuara në kampionin tonë janë në përputhje me prioritetet e ndërlidhjes si të Ballkanit Perëndimor ashtu edhe të BE-së. Megjithatë, dobësitë në përzgjedhjen e projekteve – veçanërisht sa i përket gatishmërisë së tyre për zbatim – kanë kontribuar në vonesa të konsiderueshme gjatë zbatimit. Komisioni ishte vetëm pjesërisht efektiv në sigurimin e mbikëqyrjes së duhur nga institucionet financiare dhe në krijimin e mekanizmave efektivë të monitorimit dhe raportimit. Kjo kufizoi aftësinë e tij për të trajtuar në kohë rreziqet e zbatimit, vonesat dhe çështjet që lidhen me qëndrueshmërinë e projekteve. Duke pasur parasysh vonesat në zbatim dhe sfidat operacionale, afati i vitit 2030 për përfundimin e rrjetit bazë evropian të transportit në Ballkanin Perëndimor ka pak gjasa të arrihet”, thuhet në raport.

Auditimi mbulon një periudhë dhjetëvjeçare, duke filluar nga aplikimet e para për grante të paraqitura në vitin 2015 deri në qershor 2025, kur u zhvilluan vizitat në terren nga revizorët. Gjatë periudhës 2015 – mesi i vitit 2025, Komisioni Evropian angazhoi 2.665 miliardë euro për financimin e 55 projekteve të transportit në Ballkanin Perëndimor. Nga kjo shumë, 2.115 miliardë euro u angazhuan për projekte në katër vendet që u përfshinë në revizion Maqedoninë e Veriut Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, dhe Serbinë. Përmes kësaj platforme, Bashkimi Evropian mbështet përgatitjen dhe financimin e projekteve strategjike në transport, energji dhe sektorë të tjerë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close