
Për Presidentin Stevo Pendarvoski, propozimi francez është i pranueshëm, por nuk është as triumf historik siç përpiqet ta paraqesë pushteti, e as rrënim siç pretendon opozita!
“Sipas meje bëhet fjalë për kompromis tranzicioni për një prej fazave të integrimeve evropiane e cila ka tre elemente të rëndësishme andaj propozimi sipas meje në këtë format, në këtë fazë është i pranueshëm. E para, me propozimin e heqim bllokadën bullgare e cila po zgjat më shumë se 2 vjet dhe propozimi lejon hapjen formale të bisedimeve pas 17 vjetësh pritje. E dyta, mundëson proces skriningu, që është fazë e patjetërsueshme para bisedimeve për klasterët, më herët kapitujt dhe e treta, që absolutisht është më e rëndësishmja, për secilin prej nesh, me asgjë nuk e rrezikon identitetin maqedonas, sepse për përcaktimin bazë të identitetit, në propozim ka formulim të qartë pa fusnota”, deklaroi Stevo Pendarovski, president.
Sa i përket përfshirjes së protokollit dypalësh me Bullgarinë në propozimin francez dhe tezës se me këtë bullgarët do ta bllokojnë vazhdimisht ecurinë e negociatave eurointegruese, Presidenti u shpreh se Bullgaria edhe deri më tani ka bllokuar sa ka dashur dhe kur ka dashur, por vlerëson se nëse propozimi farncez bëhet Kornizë evropiane, do të reduktohet mundësia për të ashtuquajturat “bllokada të pastra nacionale”.



