Në prag të shënimit të 100 ditëve të para të mandatit, Qeveria e Bullgarisë e udhëhequr nga kryeministri Rumen Radev ka publikuar Programin për qeverisjen e vendit deri në vitin 2030, ku një vend të rëndësishëm zë politika e jashtme dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në kapitullin kushtuar diplomacisë, të titulluar “Diplomaci dypalëshe aktive, parimore dhe me përgjegjësi kombëtare”, Qeveria bullgare riafirmon angazhimin për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, por thekson se ato duhet të bazohen në respektimin e marrëveshjeve dhe detyrimeve të marra nga palët.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, dokumenti vë në pah mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve me vetëdije bullgare si një nga prioritetet kryesore të politikës së Sofjes ndaj Shkupit. Qeveria bullgare thekson se avancimi i marrëdhënieve bilaterale do të varet nga zbatimi i obligimeve të dakorduara dhe respektimi i standardeve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
Programi gjithashtu konfirmon mbështetjen e Bullgarisë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një instrument të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në rajon.
Megjithatë, Sofja mbetet në qëndrimin e saj se progresi i vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE duhet të jetë i lidhur me përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve të përcaktuara në kuadër të procesit negociues.
Publikimi i programit vjen në një periudhë kur në qarqet diplomatike evropiane po zhvillohen përpjekje intensive për tejkalimin e pengesave që vazhdojnë të bllokojnë avancimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian.
Dokumenti i ri strategjik i Qeverisë së Rumen Radevit sinjalizon vazhdimësi të politikës bullgare ndaj Shkupit.
Nga njëra anë, Sofja shpreh mbështetje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa nga ana tjetër insiston në zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe garantimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut si kusht për avancimin e mëtejshëm të procesit.
Programi deri në vitin 2030 pritet të shërbejë si dokumenti kryesor orientues i politikës së jashtme bullgare në vitet e ardhshme, duke përcaktuar qasjen e Sofjes ndaj fqinjëve të saj dhe procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.



