
Presidenca e Kosovës ka deklaruar se ka pasur një ndërhyrje të panjoftuar në tekstin e biografisë së ish-ushtruesit të detyrës së presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, ndaj dhe janë duke e hetuar këtë moment.
Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmanit, Bekim Kupina, në një postim në Facebook ka shkruar se Osmani ka kërkuar të merren masa diciplinore për personat përgjegjës, por edhe hetim nga Policia e Kosovës.
“Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës. Poashtu, qysh nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike”, ka shkruar Kupina në Facebook.
Në emër të Presidencës është kërkuar falje për familjen Krasniqi.
“I kërkojmë ndjesë z.Jakup Krasniqi dhe familjes së tij për situatën e krijuar dhe e sigurojmë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj”, ka shkruar tutje Kupina./21Media



