
Sistemi “One Stop Shop” së shpejti do të operacionalizohet edhe në vendkalimet kufitare Qafë Thanë, Bllacë dhe Shën Naum, u përgjigj zëvendëskryeministri Bekim Sali në një pyetje parlamentare të deputetes Arbana Pasholli, e cila kërkoi vënien në funksion të sistemit për kontrolle të përbashkëta kufitare në vendkalimin Bllacë–Dibër.
Sipas zëvendëskryeministrit Sali, ruajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët është një nga politikat e kabinetit qeveritar.
“Qeveria nuk e ka mbyllur procesin që pritej prej kohësh për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve mes dy vendeve fqinje. Siç dihet, faza e parë e lehtësimit të lëvizjes ishte me sistemin One Stop Shop në Tabanovcë, ndërsa për disa ditë me Republikën e Shqipërisë do të operacionalizohet pjesa për lëvizjen e qytetarëve në Qafasan, në Bllacë dhe Shën Naum. Kjo Qeveri i qaset seriozisht kësaj teme dhe ruajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët është një nga politikat dhe përcaktimet tona programore”, u përgjigj Sali.
Deputetja Arbana Pasholli shprehu pakënaqësi ndaj përgjigjes, për shkak të, siç tha, mungesës së afateve të përcaktuara dhe fillimit të këtij sistemi të kontrolleve të përbashkëta kufitare.



