LajmeMaqedoni

Mucunski në vizitën e parë në Izrael: Duam të jemi portë drejt Evropës jo vetëm për turistët izraelitë, por edhe për kompanitë izraelite

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për gazetën izraelite “The Jerusalem Post”, dhënë gjatë vizitës së tij të parë në Izrael në cilësinë e ministrit, theksoi potencialin e Maqedonisë së Veriut për t’u pozicionuar si pikë e rëndësishme hyrëse drejt Evropës për turistët, kompanitë dhe investitorët izraelitë.

Në këtë kontekst, theks i veçantë iu kushtua iniciativës për vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore Tel Aviv–Shkup ose Tel Aviv–Ohër, me qëllim nxitjen e mëtejshme të shkëmbimit turistik, kontakteve afariste dhe lidhjes ekonomike mes dy vendeve.

“Një nga temat e para për të cilat diskutuam ishte mundësia e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore mes Tel Avivit dhe Shkupit ose Tel Avivit dhe Ohrit, i cili është qendra jonë kryesore turistike dhe një qytet që, besoj, çdo izraelit do të dëshironte ta vizitonte”, theksoi Mucunski.

Ministri theksoi se ambicia shkon përtej turizmit. Pozita strategjike e shtetit, në kryqëzimin e dy korridoreve të rëndësishme evropiane të transportit – Korridori VIII dhe Korridori X – si dhe investimet në lidhjen energjetike, krijojnë mundësi që vendi të jetë pikë hyrëse për kompanitë izraelite që duan ta zgjerojnë praninë e tyre në tregjet evropiane.

“Duam të jemi portë drejt Evropës jo vetëm për turistët izraelitë, por edhe për kompanitë izraelite. Mund të jemi edhe pikë hyrëse për investitorët izraelitë në tregun evropian, potenciali i të cilit ende nuk është shfrytëzuar plotësisht nga komuniteti afarist izraelit, por edhe treg për eksport”, tha ai, duke theksuar se pikërisht në këto fusha ekziston interes i konsiderueshëm i ndërsjellë.

Në intervistë u theksua edhe potenciali më i gjerë për avancimin e bashkëpunimit në bujqësi, menaxhimin e ujërave, siguri, inovacione, turizëm, shëndetësi dhe arsim, si dhe në fushën e investimeve dhe industrisë së mbrojtjes.

Mucunski theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Izraelin duhet të ngrihen në një nivel tjetër dhe të shndërrohen në bashkëpunim më konkret në disa fusha me interes të përbashkët. Ai theksoi se dinamika e shtuar e kontakteve politike është rezultat i përcaktimit të qartë të Qeverisë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit.

“Që nga formimi i Qeverisë, marrëdhëniet dypalëshe me Izraelin i kemi vendosur si një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme”, theksoi ai.

Në intervistë u vu në dukje edhe dinamika e shtuar e kontakteve mes dy vendeve gjatë periudhës së fundit, përfshirë delegacionin parlamentar të kryesuar nga deputetja Rashela Mizrahi, e cila në janar zhvilloi takime me kryetarin e Knessetit, Amir Ohana, si dhe me përfaqësues të tjerë izraelitë.

Sipas Mucunski, vizita dhe bisedimet në Izrael paraqesin një mundësi që dinamika pozitive ekzistuese në marrëdhëniet dypalëshe të përforcohet më tej përmes lidhjeve më të fuqishme ekonomike, shkëmbimit më të madh turistik dhe mundësive të reja për investime dhe bashkëpunim afarist.

Related Articles

Back to top button
Close
Close