
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e gazetares Natasha Stojanovska, Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e Gjyqtarëve kërkojnë kujdes dhe përmbajtje institucionale, duke theksuar se nuk duhet të paragjykohet vendimmarrja e gjykatave të rregullta. Ata nënvizojnë nevojën për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe të së drejtës për përdorimin e mjeteve juridike.
Çdo veprim institucional që lidhet me një vendim gjyqësor që ende nuk është i formës së prerë duhet të shoqërohet me kujdes dhe përmbajtje, në mënyrë që të mos krijohet përshtypja e paragjykimit të rezultatit të procedurës apo e ushtrimit të presionit ndaj gjyqtarëve. Ky është qëndrimi i Këshillit Gjyqësor dhe Shoqatës së Gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e gazetares Natasha Stojanovska.
Nga Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e Gjyqtarëve theksojnë se e respektojnë plotësisht statusin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese dhe karakterin përfundimtar e të ekzekutueshëm të vendimeve të saj. Megjithatë, paralajmërojnë se duhet të ruhet pavarësia e gjykatave të rregullta, rrjedha ligjore e procedurave dhe e drejta e palëve për të përdorur mjetet juridike. Sipas tyre, në rastin konkret bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës Themelore Civile të Shkupit, i cili nuk është i formës së prerë dhe për të cilin tashmë është paraqitur ankesë. Për këtë arsye, vlerësimi i ligjshmërisë së vendimit i takon gjykatës së shkallës së dytë. “Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj i gjyqtarëve, por garanci për qytetarët se për të drejtat dhe detyrimet e tyre do të vendosë një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Funksioni i gjykatave nuk konsiston në zbatimin e vendimeve të organeve të tjera shtetërore, por në gjykimin e pavarur dhe të mëvetësishëm, mbi bazën e Kushtetutës, ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara”, thuhet në komunikatë.
Nga atje shtojnë se asnjë organ, pavarësisht pozitës së tij kushtetuese, nuk mund të përcaktojë apo të paragjykojë se çfarë vendimi duhet të marrë një gjykatë në një çështje konkrete. Sipas tyre, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe pavarësia e gjykatave të rregullta nuk janë vlera që përjashtojnë njëra-tjetrën, por elemente që së bashku garantojnë sundimin e ligjit. “Mbrojtja e tyre nënkupton që çdo organ t’i ushtrojë kompetencat e veta brenda kufijve të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj, duke respektuar siç duhet kompetencat dhe pavarësinë e organeve të tjera”, thuhet më tej në komunikatë.
Reagimi vjen pasi Gjykata Kushtetuese, javën e kaluar, njoftoi se kishte informuar Prokurorinë Publike dhe Këshillin Gjyqësor se një gjyqtar i Gjykatës Themelore Civile të Shkupit, i cili kishte vepruar në çështjen e gazetares Natasha Stojanovska, nuk e kishte zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar shkelje të lirive dhe të drejtave të Stojanovskës me dy aktgjykime, atë të Gjykatës Themelore Civile të Shkupit të 15 qershorit 2022 dhe të Gjykatës së Apelit të Shkupit të 19 dhjetorit 2024. Njëkohësisht, kishte pranuar kërkesën e saj për përsëritjen e procedurës.
Nga Gjykata Kushtetuese thanë se për herë të parë që nga themelimi po zbatojnë një mekanizëm të tillë për ekzekutimin e vendimeve të veta. Sipas tyre, ky mekanizëm mundëson mbrojtjen e autoritetit dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Rasti i Stojanovskës, sipas Gjykatës Kushtetuese, duhet të shihet përmes prizmit të tërësisë së Kushtetutës. Nga atje gjithashtu theksuan se në Gjykatën Themelore Civile të Shkupit tashmë ekziston praktikë për marrjen parasysh të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave.
Vendimi shkaktoi reagime edhe në mesin e avokatëve, të cilët e konsiderojnë atë një hap të rrezikshëm dhe shprehin shqetësim se mund të krijojë një klimë fajësimi ndaj gjyqtarit. Edhe anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Suzana Joshevska-Anastovska, e vlerësoi veprimin e Gjykatës Kushtetuese si potencialisht shqetësues. Sipas saj, ky rast hap pyetje serioze për kufirin ndërmjet kontrollit kushtetues dhe pavarësisë së gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e Gjyqtarëve thonë se mbeten të përkushtuar ndaj respektimit të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe ndaj mbrojtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të drejtës për gjykim të drejtë dhe funksionimit të sistemit të mjeteve juridike. Ata bëjnë thirrje për respekt të ndërsjellë të kompetencave kushtetuese të institucioneve, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e shtetit.



