
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar së fundmi për anulimin e më shumë se 175,000 viza për shtetas të huaj gjatë administratës së Presidentit Donald Trump, ndërsa vazhdon një fushatë e gjerë kundër imigracionit, e cila u ka hequr të drejtën e udhëtimit dhe privilegjet e emigracionit dhjetëra mijëra personave të tjerë.
Departamenti ka thënë në një deklaratë se anulimet kanë prekur të huaj që “kanë shkelur kushtet e vizave, kanë kryer krime, kanë bërë thirrje për dhunë ndaj qytetarëve amerikanë, kanë mashtruar amerikanët, kanë abuzuar me sistemin e emigracionit ose kanë përbërë rrezik për sigurinë kombëtare.”
Sipas Departamentit, shumica e vizave u anuluan pas “kontakteve me organet e zbatimit të ligjit”, ku shkeljet më të zakonshme ishin sulmet, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit ose drogës, vjedhjet dhe krimet e lidhura me drogën, raporton Reutersi.
Departamenti përmendi edhe raste konkrete, përfshirë një person të akuzuar për përdhunim dhe sulm seksual, një tjetër të akuzuar për rrëmbim dhe trafikim njerëzor, si dhe një person që përballej me më shumë se një duzinë akuzash për posedim të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve.
Gjithashtu, një ambasadë amerikane në Afrikën e Veriut anuloi më shumë se 100 viza të prindërve që dyshohet se kishin udhëtuar në SHBA kryesisht për të lindur fëmijët e tyre, në mënyrë që ata të merrnin shtetësinë amerikane.
Departamenti ka thënë gjithashtu se kishte anuluar vizat e disa shtetasve të huaj që “festuan” vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, përfshirë një person që kishte deklaruar se ai “vdiq shumë vonë.”
Në janar, Departamenti kishte bërë të ditur se kishte anuluar më shumë se 100,000 viza, një rekord në atë kohë.
Kjo në fakt pasqyron fushatën e gjerë kundër imigracionit të nisur pasi Trumpi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar. Administrata ka dëbuar një numër të paprecedentë emigrantësh, përfshirë edhe disa persona që kishin viza të vlefshme.
Administrata ka miratuar gjithashtu një politikë më të rreptë për dhënien e vizave, duke forcuar kontrollin e rrjeteve sociale dhe duke zgjeruar procesin e verifikimit.
Organizatat për të drejtat e njeriut dhe ekspertët e të drejtave të njeriut kanë dënuar përpjekjet e administratës Trump për kontrollin e rrjeteve sociale. Ata argumentojnë se këto masa kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe janë të ngjashme me mbikëqyrjen dhe shënjestrimin e emigrantëve.



