
Federata e Volejbollit e Kosovës, në bashkëpunim me Libero – Fushë Kosovën, ka organizuar me sukses Kampionatin e Kosovës në Beach Volley për Seniorë, në konkurrencën e meshkujve dhe femrave që u zhvillua më 26 dhe 27 korrik në fushat e Beach Volley pranë Shkollës “Mihail Grameno”, në Fushë Kosovë.
Duke i ofruar ekipeve më shumë ndeshje dhe një garë sa më të drejtë e konkurruese, turneu u zhvillua sipas sistemit Double Elimination. Në total morën pjesë 19 ekipe, prej tyre 13 në konkurrencën e meshkujve dhe gjashtë në konkurrencën e vajzave, ndërsa gjatë dy ditëve u zhvilluan gjithsej 33 ndeshje (23 te meshkujt dhe 10 te femrat).
Te meshkujt, Adriatik Berisha dhe Erind Qalaj fituan medaljen e artë, kurse Endrit Nrecaj dhe Arlind Bytyqi të argjendtën, si dhe Ermal Maliqi dhe Erion Bajrami të bronztën.
Te vajzat Xhudjena Kruti dhe Adelajda Prenga fituan medaljen e artë, kurse Mihane Gashani dhe Sibora Gashani të argjendtën, si dhe Amela Llugaliu dhe Lyra Pireva të bronztën.
Ndërkohë, fituesit u shpërblyen me kupa, medalje dhe shpërblime financiare ku vendi i parë u shpërblye me 500 €, vendi i dytë me 300 €, ndërsa vendi i tretë me 150 €.
Medaljet për vendet e treta i ndau Sabri Gjigoli, Drejtor i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, medaljet për vendet e dyta Faton Paqarada, Drejtor i kompanisë Vlera Sport, ndërsa medaljet për kampionët u ndanë nga Vlonjat Hasani, Kryesues i Asamblesë Komunale të Fushë Kosovës (kategoria e meshkujve) dhe Ylber Kelmendi, Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Fushë Kosovës (kategoria e vajzave).
Kupat për ekipet kampione u dorëzuan nga Bahri Gjinovci, Kryetar i Bordit të Federatës së Volejbollit të Kosovës, dhe Valon Prebreza, Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës.



