
Kandidati për mandatin e dytë Stevo Pendarovski sot ka votuar në vendvotimin 2489 në Autokomanda në komunën e Gazi Babës.
“Zgjedhjet zhvillohen në një atmosferë të qetë, të paktën në orët e para të ditës së zgjedhjeve. Shpresoj që të përfundojnë kështu, pasi duket si një vend që ka tre dekada e gjysmë në demokraci. Kam informacione se në disa vende në disa komuna në disa njësi zgjedhore tentohet për bojkot. Nëse ky informacion është i saktë, do të doja ta dënoja paraprakisht, sepse mendoj se nuk i takon një demokracie nëse e drejta e zgjedhjes kufizohet tek njerëzit që kanë ardhur në qendrën e votimit”, u shpreh Pendarovski.
I pyetur nëse është optimist pas rezultateve të raundit të parë zgjedhor, Pendarovski tha se është gjithmonë optimist.
“Unë kam qenë gjithmonë optimist pas rezultateve të raundit të parë, sepse e dija që kandidatët që u larguan, pra rreth 330 mijë vota, ishin gjithnjë e më afër konceptit tim politik që unë mbroj se sa konceptit të kandidatit kundërshtar. Mirëpo, kjo informatë që e përmenda, nëse del e vërtetë, do t’i dëmtojë votuesit e mi potencial”, sqaroi Pendarovski.



