
Kryesia e PDK-së ka mbajtur sot mbledhje, ku ka diskutuar për situatën institucionale dhe politike në vend, të krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit. Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se Kosova ndodhet përballë një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale cila nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme politike. “Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit.
Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka theksuar kreu i PDK-së, Bedri Hamza. Ai tha se PDK-ja do t’i mobilizojë strukturat e saj në çdo komunë të Kosovës, në çdo degë dhe nëndegë, në çdo nivel të organizimit partiak dhe qytetar për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit institucional.



