LajmeOpinion

Paradigma e jetesës në mërgim, atdhedashurisë dhe perspektivës për të ardhmen (Leksioni që duhet mësuar…)

Me gjithë ngurrimin tim të madh shkaku i pandemisë dhe pas insistimit të vazhdueshëm të universitetit nikoqir në SHBA, në fund të muajit korrik u nisa drejt Çikagos. Sapo zbrita nga aeroplani, e pikasa menjëherë se asgjë më nuk ishte si më parë. Aeroporti O’Hare i ngjante një vendi fantazmash, nuk shkuan as 15 minuta dhe u gjenda jashtë. Rrugët ishin tërësisht të boshatisura. Kurrë nuk e kisha parë këtë vend të gjallëruar kaq të vdekur. Megjithatë, ishte hera e parë që unë, pas një dekade, po e shkelja tokën amerikane i çliruar në shpirtë. Nuk e bartja më në vete atë brengën dhe hektiken e dikurshme, se si do të ecte puna e angazhimit tim të dyanshëm, nëse do të korrja ose jo sukses në ngritjen e urave të bashkëpunimit ndërinstitucional, sepse nuk ishte aspak e lehtë nga hiçi të ndërtoje një kala të pamposhtur. Nga ana tjetër, pas gjithë asaj rumpalle zgjedhore, e cila u shoqërua me një aktivitet të ngjeshur politik si në kohën e Gestapos, pavarësisht se i sëkëlldisur thellësisht për fatin e popullit tim, tashmë isha bindur se çdo njeri dhe popull e bart vetë përgjegjësinë e përzgjedhjes së vet si dhe pasojat e kësaj përzgjedhjeje.
Dy javët e karantinimit i kalova tërësisht i izoluar nga përditshmëria, kryesisht duke lexuar, shkruar, medituar dhe reflektuar mbi jetën time. Ngadalë po kthehesha pas në të kaluarën time, kur dita nuk më mjaftonte për të kryer punët e mia profesionale dhe po gjeja balancën e duhur mendore e shpirtërore. Çorientimit tim po i vinte fundi dhe ndihesha tmerrësisht i lumtur. Me një fjalë, po e kuptoja se jetesa në Ballkan na kishte shndërruar në njerëz të zbrazët në shpirtë, kurse politika në perversë të pashoq. Sa ndieja dhimbje, po aq ndieja edhe një çlirim të shpirtëror.
Më pas u sistemova në apartamentin e gjetur nga universiteti, mora zyrën e punës dhe fillova t’i kryej obligimet e mia si mësimdhënës. Me gjithë kufizimet e mëdha shkaku i pandemisë, menaxhmenti i universitetit po përpiqej të mos ndieja asnjë mungesë. Angazhimi im po zhvillohej sipas ritmit të planifikuar, gjë që më bënte të ndihesha i plotësuar, sepse kurrë nuk kam dashur ta shpërdoroj besimin e dhënë, por edhe detyrat e mia akademike.
Nga postim që po e bëja rrallë në Facebook, imazhe nga darkat zyrtare me kolegë dhe studentë amerikanë, apo ndonjë poezi me datën poshtë dhe vendin e krijimit të saj, ata që deshën ta kuptonin, e morën vesh se ndodhem në SHBA. I pari që m’u lajmërua, ishte një ish-studenti im nga Shkupi. Ai kishte pothuajse 2 vjet që ndodhej në SHBA, gjë që unë nuk e dija dhe jetonte në shtetin e Georgia-s, rreth 12 orë rrugë deri në Illinois. “E kam patjetër të të vizitoj, profesor”, më tha, “kurrë nuk mund ta harroj korrektësinë tënde dhe vullnetin e mirë për të na ngritur neve studentëve”. Ai m’i zgjoi kujtimet e së shkuarës. Para 3 vjetësh isha i ftuar në Universitetin e Graz-it, Austri për mësimdhënie dhe ish-studenti im nga Shkupi merrte pjesë në programin e shkëmbimit studentor Erasmus Plus dhe unë me të mbërritur në Graz e kontaktova të shikoja se si i shkonin punët. Gjatë atij muaji u takuam më shumë herë dhe e njohëm njëri-tjetrin nga afër. Ai ishte një djalë i zgjuar, i urtë, i zellshëm, nga dera e mirë dhe krenar për veten e vet. Mbërriti diku në mbrëmje tek unë dhe qëndroi disa ditë. Madje, më kishte sjellë edhe një dhuratë. E ndjeva menjëherë ngurrimin në sytë e tij, ngaqë unë, e kisha parim, që nga studentët, nuk doja as kafe të pi. “Ta kam sjellë këtë orë në shenjë respekti, por tani që nuk jam më student dhe po punoj, dua që ta pranosh”. E falënderova, por u ndjeva tepër i zënë ngushtë.
Gjatë atyre ditëve të qëndrimit të tij debatuam për shumë gjëra: për të shkuarën dhe të ardhmen, për atdheun dhe jetesën në SHBA. “Në vendlindje nuk dua të kthehem më kurrë. S’kam asnjë arsye. Jeta e njeriut atje nuk vlen asgjë. Konkurrova mbi 10 herë për t’u punësuar në administratën e shtetit, por as babai im dhe as unë, nuk kishim lidhje në parti. Ma thyen krenarinë, dinjitetin dhe integritetin njerëzor. Tash jam 30 vjeç dhe jeta po shkon. Unë nuk kam më kohë për të humbur”. Zëri i tij ngjizte në vete zërin e atyre mijëra të rinjve, që këto vitet e fundit e braktisën vendin drejt Perëndimit shkaku i diferencimit politik. Kur iku, u ndjeva i thyer në zemër, por nuk e dhashë veten. Projektova të ardhmen e djalit tim dhe gjithë të rinjve shqiptarë, të cilët do të detyrohen ta ndjekin rrugën e njëjtë si ish-studenti im nga Shkupi. Jetesa në vend të huaj nuk është e lehtë, megjithatë nuk ta vret shpresën, ardhmërinë.
Fanol Cami, një miku im nga Dibra, i ikur familjarisht nga represioni jugosllav para 40 vjetësh në SHBA, shkaku i patriotizmit të theksuar ndër gjenerata, biri i Osman Camit, një atdhetari të madh, të dënuar dhe persekutuar nga sistemi jugosllav, për të cilin pak shkruan historiografia jonë, sapo e kishte marrë vesh se ndodhem në SHBA, më kontaktoi dhe insistoi që të isha mysafiri i tij. “Shtëpia ime është edhe e jotja. Ke dhomën tënde dhe 24 orë jam në dispozicion për çdo gjë që të kesh nevojë”. E lamë të takoheshim një të shtune dhe ashtu bëmë. Më priti siç di vetëm ai. Mbrëmja shkoi shpejt, ngaqë Fanoli është një njeri me shumë përvojë jetësore dhe korpusi i veprimtarisë së tij atdhetare është sa një oqean i tërër. Ai ka qenë njëri ndër aktivistët e palodhur të luftës së Kosovës dhe Maqedonisë, anëtar i kryesisë së xhamisë në Çikago dhe një filantrop i palodhur i çështjes tonë kombëtare. Biseduam gjerë e gjatë për politikën, atdheun dhe të tanishmen kaotike tonën. Entuziazmi nuk i kishte humbur, megjithatë, për dallim nga hera e fundit që e takova, para 3 vjetësh në xhaminë e Çikagos, ai sikur po ndihej i lodhur. “Lobi shqiptar në SHBA e ka humbur më atë fuqi që kishte. Hyri politika dhe na bëri pikë e pesë”. Rrethanat unë i dija mirë, ngaqë, siç thoshte babagjyshi im, ngado që ecim, lëmë gjurmë. Dhe nuk është aspak e vështirë t’i kuptosh profiterët nga atdhetarët. Në sytë e Fanolit e lexova dëshpërimin e madh, edhe pse ai është një burrë me elan të madh jetësor. Në fund, më tha se kishte blerë tokën për varreza në Çikago, duke më lënë të kuptoja gjithçka: Ëndrrën e papërfunduar të çështjes tonë kombëtare.
Bashkëvendësin tim, Qenan Ballazhin, mund të kishte mbi 1 dekadë që nuk e kisha takuar. Marr një mesazh në Facebook Messenger nga ai dhe më thotë që jam në Amerikë dhe kur do të kem kohë ta takoj. Ai erdhi një të diele me mikun e tij, Qamil Ballazhin nga fshati Serbicë dhe u takuam në restorantin “Fanatico”, në pronësi të bashkëvendësit tonë Osman Spahiut, i cili është njëri ndër kurbetçarët e parë në SHBA dhe një humanist dhe kontribuues i njohur i çështjes tonë kombëtare. Drekën e kishim nga ai, por edhe 3 muajt e qëndrimit tim në SHBA, Xha Osmani kurrë nuk më la të paguaj as edhe njëherë të vetme për ushqimin që konsumoja herë pas here në restorantin e tij. Qenani e kishte marrë vete edhe djalin e tij, student në drejtimin e inxhinierisë mekanike në NIU. U çmallëm dhe e lamë që së shpejti ta vizitoja në shtëpinë e tij, gjë që ndodhi shpejt gjatë një fundjave. Ata më pritën familjarisht siç e kemi traditë ne kërçovarët. Dhe siç themi ne, më ndejtën në frymë, sa vërtet nuk kisha si mos të ndihem si në shtëpinë time. Vizituam edhe Springfield-in, qytetin e presidentit Lincoln, ku na u bashkua edhe bashkëvendësi ynë Bashkimi, një djalosh, i cili ishte rritur dhe edukuar në Beograd, por me prishjen e rrethanave politike shoqërore-politike të viteve 90-ta, babai i tij ishte detyruar të kthehej në vendlindje. Duke mos mundur të gjente punë si informaticien, ai familjarisht kishte ardhur në SHBA dhe punonte si instalues i pajisjeve të alarmit në një kompani të njohur amerikane. Vizituam Muzeun e Lincolin-it, pimë nga një kafe dhe unë me Qenanin dhe Qamilin u kthyem në qytetin ku jetonin ata. Qenani kishte një brengë të vetme: shkollimin e djalit. Ngaqë vetë i detyruar të punojë qysh në moshë të re si mjeshtër ndërtimi në vendlindje, për të siguruar bukën e gojës, të gjithë fokusin e kishte te djali i tij, Rushiti, i cili e mbante emrin e të atit. U mundova ta lehtësoj, duke ia treguar perspektivën time për të birin, të cilin e kisha takuar më shumë herë në DeKalb. Rushiti ishte rritur në ambient të dyfishtë, herë në Cërvicë dhe herë në SHBA dhe këto 4 vjetët e fundit, Qenani, i dëshpëruar nga situata jonë politike-shoqërore, përfundimisht kishte vendosur të shpërngulej në SHBA. Djali i kishte ruajtur traditat shqiptare, por dhe e kishte përqafuar pragmatizmin amerikan. Kjo e kishte bërë që ai të kishte një perceptim tepër të mprehtë për jetën dhe të ardhmen e tij. Edhe pse 18-vjeçar, ai ishte tepër i pjekur dhe dinte çfarë dëshironte nga jeta. E sigurova se nuk duhej të merakosej aq shumë, ngaqë djali ishte i vetëdijshëm për të ardhmen e tij dhe suksesi do të ishte i pashmangshëm. Sikur kjo i dha kurajë dhe e vërejta që ndjeu një lehtësim në shpirtë. Si Qenani ashtu edhe Qamili, që të dy të përmalluar për vendlindjen, njëzëri ma thanë se vendi ynë nuk të jep asgjë dhe ta ngushton fushën e veprimit. Ata ëndërronin ditë e natë për vendlindjen, por shkaku i shkollimit të fëmijëve kthimi atje ishte i pamundshëm. Një jetesë kjo e dyzuar, por mjeti e arsyeton qëllimin. Fundja, për format e jetesës vendos gjithsecili për veten e vet.
Afrimi, një afarist i suksesshëm nga Kërçova, moshatar i imi, të cili unë e njihja si fytyrë nga më përpara, por që nuk kisha pasur ndonjë shoqëri të mëhershme me të, sapo kishte marrë vesh se jam mysafir i Qenanit dhe Qamilit, na shkruante vazhdimisht që ta vizitonim te restoranti i tij. Ngaqë e njihja si njeri të derës së mirë, shkuam për ta ngrënë darkën tek ai. Ishte njeri shumë pozitiv, i sinqertë dhe mikpritës. Biseduam gjerë e gjatë. Kuptova se ai tashmë ndodhet qe 20 vjet në SHBA dhe se kishte marrë pjesë aktive qysh në moshë të re në aktivitetet e lobit shqiptar për çështjen tonë kombëtare. “I kam pritur dhe përcjellë të gjithë politikanët me radhë për vite të tëra. Pagat tona i shkrinim për ta, ua paguanim fjetjen, kurse ata interesoheshin të blejnë hotelet ku ne punonim. Me kohën e kuptova se kauza e tyre ishte vetëm për xhepin e vet. Ka ca vite që iu përkushtova vetes dhe familjes, dhe punët filluan të më ecnin mbarë”. Më tregoi edhe shumë gjëra, bizneset e politikanëve tanë në SHBA, blerja e tokave dhe ndërtimet e tyre me paratë publike këtu, që jo vetëm unë, por gjithkush nga ne i di. Në fund shprehu dëshirë të bënim një foto të përbashkët, por unë me shaka e paralajmërova të mos e postojë në Facebook, se do të hidhërohen miqtë atje, ngaqë mua më kanë futur moti kohë në listën e zezë. Vuri buzën në gaz dhe shtoi: “Ka ndodhur shpesh të më thirrin, por unë jam Afrimi që i dua të gjithë shqiptarët pa dallim”. U përshëndetëm dhe të nesërmen u ktheva në DeKalb, për të vazhduar obligimet e mia përmbyllëse në universitet. E hëna ishte një ditë e ngjeshur, ngaqë duhej të prezantoja para senatit të universitetit dhe, natyrisht, isha në siklet. Afrimi më thirri të dielën në mbrëmje, dhe më ofroi veturën e tij fringo të re në shërbim derisa të qëndroja në SHBA, gjë që më befasoi shumë. Tradita shqiptare nuk kishte vdekur ende. E falënderova dhe i thashë se tashmë i kam ditët e numëruara, vendlindja më pret.
Jetesa në SHBA këto 3 muaj, ishte një përvojë e madhe për mua jo vetëm në spektrin profesional, por edhe jetësor. E ndjeva thellë në qenien time se çfarë do të thotë liria, altruizmi, respektimi i vlerës universale dhe humanizmi. Pandemia i ka vështirësuar gjërat dukshëm edhe këtu, por autoritet qeverisëse nuk abuzojnë me lirinë e njeriut. Ende nuk kam dëgjuar a lexuar nëpër mediume të jetë gjobitur ndonjë qytetar për mosmbajtjen e maskës, apo të ketë pasur kontroll policor në shtëpinë e vet. Shteti nuk abuzon dot, edhe po të dojë, me të drejtat themelore të njeriut. Kushtetuta nuk ia lejon askujt këtë. SHBA-të janë vendi i mundësive të mëdha, prandaj dhe porosia si e vendasve të mi, po ashtu edhe e miqve amerikanë, është të vazhdoj të qëndroj dhe punoj këtu. Teksa tani jam duke bërë gati valixhet, mbase dhe mund të më mungojë koha e kaluar në SHBA, miqtë dhe dashamirët, por shpirti im i takon atdheut. Këtë rrugë kam zgjedhur qysh në fëmijëri, prandaj dhe si më 2008, kur e braktisa vendin e punës në Gjermani, rrugëtimin tim, sado që të shoqërohet me pengesa të çfarëdo lloji, do ta vazhdoj në vendlindjen time të mrekullueshme. Varret vërtet heshtin atje, por bartin në vete një amanet të madh… (Arbër Çeliku)

Related Articles

Back to top button
Close
Close