LajmeRajon

14 SHKOLLA MBYLLEN NË KOSOVË, INFEKTOHEN MBI 250 NXËNËS E MËSIMDHËNËS

14 shkolla në Kosovë janë mbyllur deri më tani që nga hapja e tyre, si pasojë e paraqitjes së rasteve pozitive me Coronavirus edhe te nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa mësimi ka kaluar online, transmeton Insajderi.

Zyrtarja për informim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Diellza Kukaj, thotë se numri i nxënësve të infektuar me koronavirus është 130, ndërkaq i mësimdhënësve 148.

“Gjitha shkollat që tashmë janë mbyllur, kanë kaluar sipas planit C, pra mësimi po mbahet online. Ky është bilanci i të infektuarve që ne e kemi marrë ditën e premte (23 tetor) nga e gjithë Kosova, pra kemi 148 mësimdhënës dhe 130 nxënës të infektuar”, tha Kukaj për REL.

Ndryshe, Ministria e Arsimit ka paraparë që në këtë vit shkollor, mësimi të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.

Në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, mësimi po zhvillohet sipas skenarit B, apo mësimi i kombinuar, ku një grup nxënësish për një javë ndjekë mësimet nga banka shkollore dhe tjetri kyçet online nga shtëpia.

Ky skenar po aplikohet në këtë shkollë, pasi në muajin shtator, ajo u mbyll sepse katër arsimtarë dolën pozitivë me koronavirus.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruqi për REL tregon se si po zhvillohet mësimi në këtë institucion arsimor.

“Shkolla jonë ka qenë dy javë me skenarin C, pra gjithë kemi qenë në mësim online, për arsye se kanë rezultuar katër mësimdhënës pozitivë. Tash po funksionojmë sipas skenarit B. Janë dy grupe brenda ditës, ku njëri kyçet online nga shtëpia direkt në klasë dhe grupi tjetër brenda klasës. Aktualisht e kemi një nxënëse të infektuar, por që ka qenë duke mbajtur mësim nga shtëpia. Kështu që gjithçka po funksionon aktualisht mirë sa i përket mësimit”, thotë Oruqi. /Insajderi.com

Related Articles

Back to top button
Close
Close