LajmeSport

Botërori dhe pauzat e FIFA, ndizen polemikat, Klopp: Futbolli po shndërrohet në muzikën në sfond e reklamave

Botërori 2026 sapo ka filluar dhe polemika e madhe nuk ka të bëjë me ndonjë gol të anuluar apo një penallti të kontestuar, por zemra e vetë lojës. Nën akuzë janë rregullat e reja të FIFA për pauzën e hidratimit të miratuara në muajin dhjetor; dy ndërprerje të detyruara të ndeshjes prej 3 minutash secila nga një për çdo pjesë që vendosen nga arbitri pavarësisht kushteve reale të motit.

Një masë kjo që zyrtarisht është prezantuar si mbrojtëse për shëndetin e futbollistëve nga klima në SHBA, Meksikë dhe Kanada, por që është vënë në qendër të kritikave të forta nga ana e tifozëve, teknikëve dhe punonjësve të tjerë në këtë fushë. Teoria është vetëm  një: shëndeti është vetëm preteksti për t’iu dhënë televizioneve 6 minuta hapësirë për spote televizive me çmime të larta.

Rasti Fox dhe skandali ‘Watergate’. Çështja shpërtheu në SHBA gjatë ndeshjes hapësë mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut; menjëherë pas golit të meksikanit Raul Jimenes në minutën e 67, telekronisti i Fox, Ian Darke njoftoi për pauzën duke thënë se ishte ofruar nga Poëerade duke bërë  kështu që të nisë hapësira publicitare prej rreth 2 minutash e shfaqur në ekran të plotë. Problemi është që regjia u vonua në lëvizjen e saj për të mos humbur imazhet e festës së tifozëve dhe për të rikuperuar pjesën e reklamave të shitura tashmë hyri me vonesë në fushën e lojës. Kur arbitri Sampaio fërshëlleu rifillimin e lojës, Fox po transmetonte ende një spot të Adidas duke bërë që shikuesit të humbisin aksione të rëndësishme të ndeshjes. Media britanike me në krye Independent me ironi e pagëzoi si ‘Watergate’; një lojë fjalësh që bashkon ujin(water) për hidratim me skandalin historik politik të 1972 që solli dorëheqjen e presidentit Nixon. Një analogji që fotografon në mënyrë perfekte sikletin e përgjithshëm që u ndje edhe brenda studiove të vetë Fox.

Nëse ish futbollisti Alexi Lalas e komentoi këtë pauzë duke e përkufizuar si fundi i periodës së parë, kolegia e tij, ish kampionia e botës, Carli Lloyd ishte e qartë: ‘E urrej’. Ndërkaq konkurrenca ka treguar se ekziston edhe një rrugë tjetër e mundshme. Rrjeti Telemundo zgjodhi të mos e ndërpresë transmetimin live duke vendosur grafika publicitare në anë të ekranit duke thumbuar rivalët. ‘Ne nuk transmetojmë reklama gjatë pauzës. Bashkohuni me në për të shijuar futbollin pa ndërprerje’

Një biznes si për Super Bowl. Që pas kësaj zgjidhjeje për shëndetin të FIFA qëndron një biznes kolosal, këtë e thonë numrat. Michael Johnson, analisti per S&P Global, vlerësoi se në këtë Botëror do të ketë 208 ndërprerje totale të ndeshjeve për 624 minuta. Me një publik global, çdo hapësirë publicitare brenda këtij time out mund të arrijë çmime si për Super Boël, 7-9 milionë dollarë. Një shifër kjo e konsiderueshme sidomos për Fox që në të kaluarën kishte fituar të drejtat për këtë botëror prej vetëm 500 milionë dollarësh si dëmshpërblim nga FIFA për spostimin e Botërorit të Katarit në dimër.

Revolta e teknikëve; sulmi frontal i Klopp: Nëse në 2014 në Brazil, pushimi për hidratim ndodhte vetëm në rastet e temperaturave ekstreme, sot ky rregull i detyrueshëm nuk pëlqehet aspak nga trajnerët që shqetësohen për impaktin në ritmin e lojës. ‘Jam dakord vetëm në kushte ekstreme, por nëse klima ështe e mirë, kjo është e tepërt-ka deklaruar Mauricio Pochettino. Në të njëjtën linjë është edhe Deschamps dhe trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez. Ai që ka sulmuar më ashpër këtë rregull ishte pikërisht Jurgen Klopp që foli për ZDF.

‘Futbolli është marrë peng nga drejtues të ulur në zyra me ajër të kondicionuar-tha Klopp-ky rregull i ri prezantohet si mbrojtëse për shëndetin dhe mirëqënien e futbollistëve, një armë fisnike kundër të nxehtit, por në të vërtetë është vetëm një kafaz i artë i ndërtuar për sponsorët. Një ndeshje duhet të jetë si një lum që rrjedh. Ndërsa ne ndërtojmë diga për të lejuar dhënien e reklamave. Është e rrezikshme për shpirtin e lojës. Futbolli ishte eventi principal, tani rrezikon të shndërrohet në një sfond muzikor i spektaklit publicitar. Rreziku është që futbolli të bëhet një ndërprerje nga një reklamë në tjetrën’.

Related Articles

Back to top button
Close
Close