LajmeMaqedoniOpinion

PA SAKRIFICA NUK KA VEPRA TË MËDHA

“Ne vërtetë të dhamë ty shumë të mira, ndaj falu dhe prej kurban për hirë të Zotit tënd”

(El-Kevther)

Nga H. Sulejman ef. Rexhepi

Vëllezër e mora, të dashur besimtarë myslimanë!
Jemi në pritje të një dite të madhe, ditës së Bajramit të Kurbanit, ditës së gëzimit, ditës së
sakrificës, ditë e cila në historinë islame njihet si Bajrami i Madh, sepse pas njëzet e tre vjet sa
zgjati shpallja e Kur’anit Famëlartë, ai u kompletua pikërisht në ditën e Arafatit, në vitin e dhjetë
hixhrij, pra në pragun e natës së Bajramit të Kurbanit. Po ashtu, vullneti Hyjnor deshi që kjo
festë të vie pas kryerjes së një detyre mjaft të rëndë, pas kryerjes së haxhillëkut dhe kënaqësisë së
shpirtit që e kurorëzuan besimtarët me vizitat e tyre vendeve të bekuara dhe të lavdëruara nga
ana e Allahut Fuqiplotë.
Vëllezër të dashur besimtarë!
Në këtë ditë të madhe, zemrat e mbarë besimtarëve të botës, janë të drejtuara nga Qabeja e
madhëruar, simbolit të monoteizmit të pastërt islam, vatrës së zemrave të mbarë besimtarëve,
strumbullar për të cilën lidhet misioni dhe jeta e të gjithë pejgamberëve të Zotit duke filluar nga
Ademi alejhiselam e deri te Muhamedi alejhiselam, vulë e të gjithë pejgamberëve. Për më tepër,
kjo ditë është e lidhur me paraardhësin e pejgamberëve Ibrahimin alejhiselam i cili qe i gatshëm
që për dashurinë dhe respektin ndaj Allahut xh.sh. ta flijojë të birin e tij aq të dashur e të
shtrenjtë, Ismailin alejhiselam e i cili pa luhatje pranoi që të sakrifikohet në emër të Krijuesit të
Gjithësisë. Ky shembull i flijimit të birit nga babai duhet që në mënyrë inspirative të ndikojë te
secili besimtar, nga ky shembull duhet kuptuar se çfarë duhet të jetë dashuria ndaj Fuqiplotit. Ky
akt i flijimit përmbanë një mesazh të fuqishëm:
“Jetën tonë gjer në fund t’ia nënshtrojmë Allahut xh.sh., në mënyrë që të fitojmë mëshirën,
mbështetjen dhe shpëtimin e Tij”.
Vëllezër të dashur!
Pa sakrificë nuk mund të ketë as vepra të mëdha. Njerëzit mund të bëhen të shquar e të
pavdekshëm vetëm nëse janë të gatshëm të flijojnë, qoftë edhe veten për qëllime fisnike, kurse
popujt bëhen të mëdhenj dhe të fuqishëm vetëm nëse stolisen me vyrtite të larata dhe ndjenja
sakrifikuese për të dhënë edhe atë më të shtrenjtën, më të çmueshmën, kur është në pyetje nevoja
për t’u vënë në mbrojtje të fesë sonë, vlerave të saj dhe unitetit tonë, duke pasur parasush se në
këto kohë të rënda, individë të verbuar nga interesat personale, po tentojnë të na e vështirësojnë
jetën edhe më shumë duke u vënë në shërbime të huaja me qëllim të realizimit të misioneve të
tyre përçarëse. Andaj, është imperativ dhe nevojë imediate që besimtarët tanë ta ngrisin unitetin
islam në nivelin më të lartë, ta kultivojnë dashurinë vëllazërore islame. T’ia kthejnë shpinën
tradhëtarit, përçarësit, fitnexhisë, shpirtshiturit, faqeziut, atij që për interesa të huaja dhe për hirë
të dashakeqit sakrifikon të arriturat e lavdishme të institucionit, komunitetit, shoqërisë. Ata të

cilët ndjellin tradhëti, grindje, urrejtje, armiqësi, nuk mund të kenë festë të vërtetë të bajramit,
ngase Allahu xh.sh. thotë:
“… Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e jo në mëkate e në armiqësi. Kini dro
dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë” (El-Maide, 2).
Kjo festë e madhe për besimtarët islam është ditë e gëzimit dhe e ngazëllimit të brendshëm për
shkak të sukseseve dhe lutjeve të pranuara te Zoti. Gëzimet dhe ngazëllimet, në këtë ditë
shprehen në forma të ndryshme siç janë: satisfaksioni i mirëqenies, ndjenja e rehatisë, fytyrat e
qeshura dhe të gëzuara, veshja e bukur etj. Kjo ditë është shkak që të mblidhen familja, farefisi
dhe miqtë të cilët takohen rrallë gjatë vitit dhe tani të tubuar zgjidhin shumë probleme të
përbashkëta, fëmijët shoqërohen dhe ndjehen mirë në atmosferën e vërtetë farefisnore.
Tubimi më i madh sot për të festuar këtë ditë të shenjtë është në Mekë, ku janë mbledhur miliona
besimtarë nga të gjitha anët e botës të veshur me petka të njëjta, pa dallim race dhe gjuhe, i luten
Allahut Mëshirëplotë me të njëjtën thirrje, me të njëjtat fjalë:
LEBEJKE ALLAHUME LEBEJK
Kjo thirrje manifeston vëllazërimin islam. Të gjithë para Zotit janë të barabartë. Pra, t’i pranojmë
sinqerisht të gjitha gabimet e tona që i kemi bërë ndaj vetes apo ndaj bashkësisë dhe të përpiqemi
t’i përmirësojmë po deshëm lumturi dhe prosporitet në këtë dhe në botën tjetër.
Të nderuar vëllezër e motra, më lejoni që edhe njëherë t’ju urojë perzemërsisht festën e Bajramit
të Kurbanit duke iu lutur Allahut fuqiplotë dhe duke mbetur me shpresë që gëzimi, paqja dhe
dashuria të sundojë në shtëpitë dhe në familjet tona. Po ashtu, ju ftoj që bashkërisht t’i
drejtohemi Allahut Fuqiplotë që t’i falë mbarë besimtarët, kurse haxhinjëve t’ua pranojë lutjet.
Për hajër ju qoftë Kurban Bajrami!

Related Articles

Back to top button
Close
Close