LajmeRajon

Osmani ftohet nga presidentja e Zvicrës për vizitë shtetërore

Me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter,  presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, janë ftuar për vizitë shtetërore në Konfederatën Helvetike më 21-22 maj, duke shënuar kësisoj vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër.

Presidanca ka njoftuar se presidentja Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, më 21 maj në prezencë edhe të qytetarëve të shumtë.

“Në kuadër të agjendës zyrtare, presidentja Osmani do të mbajë takime me Presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Poashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media”, thuhet në njoftim.

Për nder të presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve.

“Në ditën e dytë të vizitës, Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies, fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër”, thuhet në njoftim.

Në Gjenevë Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër. Presidneca thekson se bashkatdhetarët tanë që jetojnë e kontribuojnë në Zvicër, janë bërë një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close