Ora astronomike mbi 6-shekullore e Pragës vazhdon t’i magjepsë vizitorët

Në qendër të kryeqytetit çek Pragë, ora astronomike 614-vjeçare Orloj e Pragës, vazhdon të magjepsë vizitorët nga mbarë globi me dizajnin e saj të ndërlikuar dhe pamjen e saj hipnotizuese, raporton Anadolu. E vendosur në vitin 1410 gjatë Epokës së Artë së Bohemisë, Orloj është ora astronomike e tretë më e vjetër në botë dhe më e vjetra që ende është në funksion. Kjo orë ikonike ndodhet në shesin historik të Qytetit të Vjetër dhe qëndron përkrah monumenteve të tjera si Katedralja e Shën Vitusit dhe Kalaja e Pragës si një simbol i historisë së pasur të qytetit. Përveç që tregon 24 orët e ditës, ora përmban komponentë të shumtë, përfshirë një kalendar, një numërues astronomik, si dhe mekanizma që përshkruajnë pozicionet relative të Diellit, Hënës, Tokës dhe yjësisë së Zodiakut. Kompleksiteti dhe vlera historike е orës theksohen edhe më shumë përmes figurave lëvizëse, procesionit të apostujve, pasi mekanizmi i sofistikuar i lejon 12 apostujt të lëvizin dhe të shfaqen çdo orë, duke tërhequr mijëra vizitorë që e presin me padurim këtë lëvizje spektakolare. Trashëgimia e qëndrueshme e Orlojit gjithashtu nuk ka kaluar pa u vënë re. Në vitin 2015, përkatësisht në 605 vjetorin e saj, ora u festua me një ‘Google Doodle’, duke u njohur si “një arritje madhështore në inxhinierinë mesjetare dhe një pikë referimi kulturore”. Pavarësisht nga dëmtimet e pjesshme gjatë shekujve, përfshirë edhe gjatë kryengritjes së Pragës në vitin 1945, pjesa më e madhe e makinerisë së saj origjinale mbetet e paprekur. Megjithatë, një restaurim i vitit 2022 ngjalli polemika dhe disa akuza për gabime në proces çuan një hetim nga Ministria e Kulturës së Republikës Çeke.



