LajmeMaqedoni

Nuk ka konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për nënkryetarët e Kuvendit

Nuk ka konsensus për nënkryetarët e Kuvendit. Në koordinimin e sotëm, grupet parlamentare dhe kryetari i Kuvendit kanë diskutuar çështjen për ndarjen e pozitave të nënkryetarëve, por zyrtarisht nuk ka vendim përfundimtar. Deri tani dihet se zëvendës të Talat Xhaferit do të jenë Fadil Zendeli i Lëvizjes Besa dhe Goran Misovski i PRSD-së, që të dy pjesë e shumicës parlamentare. Zgjedhja e tyre pritet të bëhet në njërën nga seancat e ardhshme.

Opozita nuk pajtohet me numrin e nënkryetarëve, për këtë arsye edhe nuk do të propozojë kandidatin e saj. VMRO-DPMNE-ja konsideron se 5 nënkryetarët janë harxhim shtesë për buxhetin shtetëror dhe nuk do të merr në konsideratë ofertën e shumicës parlamentare. Nuk është caktuar as nënkryetari i tretë që i takon shumicës, e që parimisht duhet të jetë femër. Jo zyrtarisht, burime nga grupet parlamentare bëjnë të ditur partitë e shumicës parlamentare e kanë të vështirë të përcaktohet për deputeten e cila do të merr pozitën e nënkryetares.

Njërën nga pozitat e nënkryetarit e ka kërkuar edhe opozita shqiptare ASH-AAA, si kërkesë legjitime e tyre dhe si grup parlamentar i dytë opozitar. Në koordinimin e sotëm është folur edhe për mundësinë e mbajtjes së seancave nga distanca, por brenda grupeve parlamentare dhe kryetarit të Kuvendit, jo zyrtarisht ka mbizotëruar ideja që vetëm deputetët të cilët duhet t’i nënshtrohen izolimit të kenë mundësi votimi dhe diskutimi online, ndërsa seancat e Kuvendit të mbahen me prezencë fizike dhe në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close