LajmeMaqedoniTopLajm

Nuk dihet ende kur do të votohet ligji për pakon ekonomike, opozita ka dorëzuar 3.000 amendamente

Kuvendit do t’i nevojitet ende kohë që t’i miratojë tre ligjet nga pakoja e pestë antikrizë për Kovid-19, sepse grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët e realizoi paralajmërimin dhe dorëzoi 3.000 amendamente në mbledhjen e djeshme të Komisionit kuvendor për Financim dhe Buxhet.

Kryetari i këtij trupi të kuvendit, Timço Mucunski, në mbledhje ka informuar se janë parashtruar amendamentet dhe ka treguar se ato do të dërgohen për përkthim në gjuhën shqipe, pas çka Komisioni përsëri do të takohet. Kjo, sipas informacioneve nga Kuvendi, do të mund të ndodhë pas disa ditëve. Pasi ligjet janë me procedurë të shkurtër, debati për amendamentet është paraparë që të zgjasë vetëm tri ditë, ndërsa pastaj ligjet do të mund të votohen në mbledhje plenare.

Komisioni për Financim dhe Buxhet ishte caktuar pasi dje ishte arritur marrëveshje ndërmjet deputetëve të cilët e votuan rendin e ditës së mbledhjes së 36-të, ndërsa me propozim të koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, u morën vesh që t’i tërheqin të gjitha pikat dhe të votojnë vetëm për tre ligjet nga pakoja e pestë antikrizë, si dhe për Propozim-vendimin për ndryshime të Vendimit për miratimin e vazhdimit të afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në një pjesë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Edhe për këtë vendim deputetët e ASH-së dhe Alternativës kanë dorëzuar rreth 400 amendamente të cilat nga Komisioni për Mbrojtje janë dhënë për përkthim.

“Pa dyshim që dialogu jep fryte, që të jemi të qëndrueshëm ndaj 12.000 kompanive dhe personave fizik të cilët kryejnë veprimtari të pavarur, kërkoj nga deputetët ta mbështesin propozimin që e japim disa ditë – për ndihmë urgjente të kompanive në bazë të pakos së pestë të masave. Në këtë seancë i kemi edhe pikat tona, por jemi të gatshëm t’i anulojmë që të kalojnë këto, për masat ekonomike. Për atë kërkoj mbështetje, për qytetarët të mos e shikojnë këtë teatër. Të gjitha pikat nga rendi i ditës të tërhiqen dhe të mbesin vendimi për gjendje krize, pika për mbështetje të personave fizik, Propozim-ligji për mbështetje financiare të punëdhënësve, si dhe Propozim-ligji për ndryshime të Ligjit për të ardhura personale me procedurë të shkurtuar. Pastaj presim të caktohet edhe Komisioni për financim dhe buxhet dhe për të mos u mërzitur më me lojërat tona”, theksoi Micevski, duke e arsyetuar propozimin.

Kryeparlamentari Xhaferi para se ta vendosë propozimin në votim, tha se punët dhe gjërat për funksionim të Kuvendit duhet të zhvillohen brenda, në Shtëpinë Ligjdhënëse, ndërsa jo jashtë.

“Kam mbetur i qëndrueshëm në faktin se procedurat nënkuptojnë vendim të plenumit, ndërsa jo vullneti im. Gjithçka që varet nga unë personalisht do të zbatohet në favor të interesit të Kuvendit, ndërsa sipas zgjedhjes suaj”, nënvizoi Xhaferi.

Për të marrë fjalën  në mënyrë procedurale u paraqit edhe koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski me vërejtje se VMRO-DPMNE ka mundur t’i tërheqë nga ajo pikat e paraqitura, ndërsa  jo të kërkojë tani tërheqjen e tyre.

“Dëshiroj të shpreh keqardhje për ushtarët profesionistë, për punonjësit shëndetësorë, për Ligjin për Shërbim në ARM i cili parasheh 25.000 euro kompensim, që do të duhet të presin”, tha Mitrevski.

Shumica në Kuvend ka 62 deputetë, ndërsa dy prej tyre ishin pozitivë në Kovid-19. Pa opozitën shumica nuk ka kuorum për punë dhe nuk mund të miratojë ligje. Shumica e pranoi propozimin e VMRO-DPMNE-së që në mbledhjen e 36-të të shqyrtohen vetëm ato katër pika, ndërsa ata të bëjnë kuorum që të munden masat antikrizë të realizohen sa më shpejtë. Megjithatë, për shkak të bllokadës së Ligjit për shtetësie nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe Të majtës, grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës i bllokon këto ligje me rreth 3.000 amendamente, si dhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, por edhe 20 ligje të tjera me mbi 32.000 amendamente.

Marrëveshjen e arritur të partive parlamentare e përshëndeti edhe lideri i opozitës, Hristian Mickovski.

“Është mirë që shumica në pushtet e pranoi propozimin që e dha dje për votimin prioritar të katër ligjeve për ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve, edhe pse, siç thekson “ajo mbështetje është e vogël dhe deri më tani e pamjaftueshme. U tregua se pushteti ka shumicë vetëm për ta vazhduar mandatin e vet, por jo edhe të sjellë ligje për qytetarët. Ky është dallimi mes luftës për interesa personale që e përfaqësojnë luftëtarët për provizione nga pushteti, dhe lufta për interesat e qytetarëve, në anën e të cilëve do të jemi çdoherë”, shkroi Mickoski në Fejsbuk.

Në Kuvend dje u mbajt edhe mbledhje për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve, fillimi i të cilës ishte vonuar për shkak të marrëveshjes për mbledhjen e 36-të. Kryetari i Kuvendit, Xhaferi në atë ndërkohë kishte takim të shkurtër me kryeministrin Zoran Zaev, në të cilin ishte biseduar për të gjitha aspektet procedurale të funksionimit të Kuvendit.

“Konstatimi ynë i përbashkët është se debati parlamentar mbetet ne Kuvend edhe atë mes Grupeve parlamentare dhe subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend dhe aty duhet të vazhdon dhe të gjenden zgjidhje adekuate procedurale për të vazhduar punën në Kuvend. Kjo është kështu per arsye se, konstatimi ynë i përbashkët është se Kuvendi është institucioni i qytetarëve dhe është obligim i njëjtë si i deputetëve të pozitës, ashtu edhe i deputetëve të opozitës, në kontekst të pjesëmarrjes në punimet e Kuvendit në përputhje me Rregulloren për punë. Me shpresë se do të vazhdojmë me koordinimet e rregullta dhe ad hok, mendoj se do i gjejmë zgjidhjet e duhura të përbashkëta në dobi të qytetarëve, që të vazhdojë me punë Kuvendi dhe ti përmbushë kërkesat e qytetarëve në kontekst me krizën dhe pasojat e krizës mbi jetën e tyre në përgjithësi”, thuhet në kumtesën e shërbimit kuvendor për shtyp.

Related Articles

Back to top button
Close
Close