
Andrea Pirlo ka reaguar për herë të parë pas polemikave të forta që kanë shpërthyer në Itali lidhur me lidhjet e tij me Rusinë, duke sqaruar se bashkëpunimi i tij me kompaninë ruse të basteve Fonbet është ekskluzivisht profesional dhe nuk ka asnjë prapavijë politike.
Debati u ndez pasi u bë publik fakti se ish-mesfushori i Milanit dhe Juventusit është ambasador i Fonbet, kompani në të cilën aksionar është Sergey Lomakin, presidenti i klubit ku Pirlo punon aktualisht, United FC në Dubai. Çështja ka shkaktuar reagime edhe në politikën italiane dhe, sipas mediave, ka ndikuar në diskutimet për emërimin e tij si trajner i ri i Kombëtares së Italisë.
Pas disa ditësh heshtjeje, Pirlo publikoi një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ku hodhi poshtë çdo interpretim politik të bashkëpunimit të tij.
“Ditët e fundit kam ndjekur me keqardhje të madhe debatin që është zhvilluar rreth emrit tim dhe mundësisë për të marrë rolin e trajnerit të Kombëtares italiane. Për respekt ndaj institucioneve, Federatës dhe të gjithë personave të përfshirë, kam zgjedhur deri tani të ruaj heshtjen.
Megjithatë, e konsideroj detyrim të sqaroj disa aspekte. Gjatë gjithë karrierës sime, fillimisht si futbollist dhe sot si trajner, gjithmonë kam ushtruar profesionin tim në respekt të plotë të ligjeve të vendeve ku kam punuar dhe të kontratave që kam nënshkruar.
Bashkëpunimi profesional që është bërë objekt i polemikave të fundit ka lindur në kuadër të rrugëtimit tim profesional në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i natyrës tregtare dhe sportive. T’i atribuohet këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë të më atribuohen bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin.”
Në pjesën përmbyllëse të deklaratës së tij, Pirlo falënderoi Paolo Maldinin dhe Leonardon për mbështetjen, ndërsa shprehu keqardhje që një çështje sportive u kthye në një debat publik.
“Dëshiroj të falënderoj Maldinin dhe Leonardon për vlerësimin dhe besimin që më kanë treguar. E njoh kompetencën, seriozitetin dhe dashurinë që ata i kanë kushtuar gjithmonë futbollit italian. Më vjen keq që një zgjedhje me karakter sportiv u tërhoq kaq shpejt në një debat publik, i cili përfundoi duke i atribuar personit tim kuptime dhe qëllime që nuk më përkasin. Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një detyrë. Ajo është pjesë e historisë sime, e identitetit tim dhe do të më shoqërojë gjithmonë.”
Deklarata e Pirlos vjen në një moment kur e ardhmja e tij në garën për stolin e Kombëtares italiane mbetet e paqartë, ndërsa polemikat rreth rolit të tij si ambasador i kompanisë ruse vazhdojnë të jenë në qendër të debatit publik në Itali.



