
Tashmë ka nisur edhe protesta e disa prej kryetarëve të komunave të Kosovës para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Sipas pamjeve të siguruara nga Indeksonline protestës ia janë bashkuar kryetarët e komunave të Skenderajit, Drenasit, Suharekës e Prishtinës, Gjakovës.
Një ditë para protestës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi një video në Facebook, përmes së cilës u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës dhe kërkoi nga ekzekutivi qendror që të mos ua marrë komunave atë që, sipas tij, u takon.
“Nuk mundesh me ua marrë qytetarëve buxhetin, me ua blloku projektet e me ua ndal zhvillimin vetëm pse nuk të kanë votuar. Kjo nuk është qeverisje. Është ndëshkim politik”, ka deklaruar Rama.
Rama ka akuzuar qeverinë se po bllokon fondet dhe projektet komunale, duke e lidhur këtë me përkatësinë politike të komunave. Ai ka thënë se që nga viti 2022, buxheteve komunale u janë marrë mbi 344 milionë euro për obligime të krijuara në nivelin qendror, ndërsa vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, sipas tij, janë marrë rreth 55 milionë euro.
Edhe kryetari i Aleancës dhe i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e komunave të Kosovës, e cila do të mbahet sot në Prishtinë, kundër asaj që ai e konsideron cenim të kompetencave dhe të drejtave ligjore të pushtetit lokal nga niveli qendror.
Gjini ka thënë se komunat janë “adresa e parë e qytetarëve” dhe segmenti kryesor i përfaqësimit të tyre institucional, ndërsa ka akuzuar nivelin qendror se po ndërhyn në mënyrë të jashtëligjshme dhe me motive politike në kompetencat komunale.
Ai ka përmendur shkurtimet buxhetore, lënien jashtë planifikimeve financiare të mbi 3.100 mësimdhënësve, moskompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, centralizimin e inspektorateve dhe punësimit në shërbimin civil, si dhe kufizimet që, sipas tij, po vendosen ndaj pronave komunale.
Protesta e sotme e AKK-së synon, ndër të tjera, mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimin e obligimeve nga kontratat kolektive, si dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.



