LajmeSport

NBA/ Doncic udhëheq Dallasin, Clippers regjistrojnë fitoren e 6 radhazi

Denver Nuggets kanë regjistruar fitoren e dytë radhazi, teksa këtë herë kanë triumfuar me rezultatin 126-130 në transfertën ndaj Phoenix Suns, në “Stick Resort Arena”. Përballja mes dy ekipeve ishte vërtetë spektakolare dhe vendasit ishin ata që morën epërsinë në gjysmën e parë të lojës, duke dhënë idenë e një fitoreje të lehtë.

Megjithatë Denver reagoi në mënyrë perfekte, i udhëhequr edhe nga një formë mjaft e mirë e serbit Jokiç, dhe ia doli të rikthejë baraspeshën në fund të kohës së rregullt, duke bërë që të aplikoheshin 5 minutat shtesë për të përcaktuar fituesin.

Edhe në shtesë gjithçka foli për Denverin, që arriti të fitojë 16-12 dhe gjithë takimin 130-126, duke regjistruar kështu suksesin e dytë radhazi, që e ngjit përkohësisht në zonën Play Off të renditjes në Konferencën e Perëndimit.

Rizgjohet edhe Houston Rockets, që pas tre humbjeve radhazi, ia doli të triumfojë me rezultatin e ngushtë 102-103 në transfertën ndaj Detroit Pistons, me këta të fundit që vijojnë të zhgënjejnë këtë sezon dhe kanë mbetur në vendin e fundit në Konferencën e Lindjes.

Los Angeles Clippers është një tjetër skuadër që po konfirmohet në formë të shkëlqyer këtë sezon, pasi ia doli të mposhtë Ocklahoma City Thunder me shifrat 120-106 dhe të regjistrojë fitoren e 6 radhazi në kampionat, suksese këto që e ngjitin në krye bashkë me skuadrën tjetër kaliforniane, Los Angeles Lakers.

Kawhi Leonard dhe Paul George ishin protagonistët e padiskutueshëm për Clippers, pasi të dy bashkë shënuan 60 pikë, rikuperuan 15 topa në tabelë dhe dhanë 7 asiste, ndërsa forma e mirë e kanadezit Gilgeous-Alexander, nuk mjaftoi për City Thunder.

San Antonio Spurs zhgënjejnë sërish, këtë herë në shtëpi përballë Dallas Mavericks, ndaj të cilëve u mposhtën me shifrat 117-122, duke regjistruar kështu humbjen e dytë radhazi dhe duke komplikuar pozitat në renditje.

Dyshja DeRozan-Aldridge ishin sërish më të mirët për Spurs, por paraqitja e tyre u la në hije nga forma e shkëlqyer e sllovenit Luka Doncic, që me 36 pikë, 9 rikuperime dhe 11 asiste i dha fitoren Dallasit.

Në sfidat e tjera, Philadelphia 76ers triumfoi me shifrat 122-110 ndaj Boston Celtics, ndërsa Cleveland Cavaliers mposhtën me rezultatin 125-113 Boston Celtics, në një sfidë ku vlen të theksohet se Harden zhgënjeu me paraqitjen e tij dhe vetëm forma e mirë e Irving nuk mjaftoi për miqtë.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close