LajmeRajon

Mohimi i Masakrës së Reçakut: Ambasadori Hovenier i reagon Lavrovit dhe çiftave të tij

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, dje në një deklaratë mohoi masakrën e Reçakut, ashtu siç bëjnë edhe krerët e shtetit serb, si Aleksandër Vulini e edhe vet Aleksandër Vuçiqi.

Por ndaj kësaj, përmes një cicërime në Twitter, ka reaguar ambasadori amerikan në Kosovë, zoti Jeff Hovenier, duke shkruar:

“Përpjekjet për të rishkruar dhe për të mohuar historinë e dokumentuar mirë të masakrës së Reçakut glorifikon krimet e luftës, çnderon kujtimet e të vdekurve dhe rihapë plagët e të mbijetuarve”, shkruan Hovenier, teksa reagimit të tij ia bashkon edhe pjesët nga fjala e tij në përkujtimin e Masakrës së Reçakut.

Çka tha Hovenier për Masakrën e Reçakut – Pjesë nga fjalimi i tij, përkthen Periskopi

“Ata që mohojnë mizoritë në Reçak kërkojnë që të pengojnë progresin drejt rikonsolidimit regjional, konsolidimit demokratik dhe të integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik”.

“Paqja dhe siguria vien vetëm nga një pranim i krimeve të kaluara. Kjo është vitale për t’u siguruar se këto krime të rënda nuk ndodhin më”

“Si përgjigje ndaj kësaj mizore dhe të tjerave, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, vepruan në mbrojtje të civilëve në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit. Këto qëllime reflektojnë thellësisht vlerat e mbajtura amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh prejardhjen etnike dhe religjionin, meritojnë dinjitetin për të jetuar në liri dhe të sigurtë”.

Sergei Lavrov në një intervistë për mediat ruse, përcjell “B92” të enjten, ka thënë se krimet në qytezën afër Kievit, Bucha, janë trillime dhe se ato i ngjajnë, sipas tij me atë që ka ndodhur në fshatin Reçak më 1999, kur forcat serbe vranë dhjetëra civilë.

“Në të njëjtën mënyrë është bërë më 23 prill në Bucha, afër Kievit. Është e njëjta skemë. Funksionon, pavarësisht nëse bind dikë apo jo. Ata (amerikanët v.j.) as nuk kishin pse të bindin dikë. Bombarduan Jugosllavinë, e bënë Kosovën të pavarur, duke shkelur të gjitha parimet”, ka thënë Lavrov.

Në një vijë me Lavrovin, janë edhe zyrtarë serbë, si ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili vazhdimisht e quan “gënjeshtër” Masakrën e Reçakut, ndërsa vrasjen e civilëve shqiptarë si “falsifikim”.

Masakra e Reçakut, njihet si një ndër masakrat më mizore në Kosovë. Forcat policore e ushtarake serbe në Kosovë, më 15 janar 1999, vranë 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte edhe gra e fëmijë. Kjo masakër ishte momenti kryesor që solli vendimin e NATO-s për të filluar intervenimin ajror ushtarak ndaj Serbisë  për shkak të luftës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close