LajmeMaqedoniTopLajm

LSDM akuzon se Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë është shtetas bullgar dhe ka kompani atje, mohojnë nga pushteti

Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, është shtetas bullgar dhe është i lidhur me një kompani në Qystendil, veprimtaria e së cilës është “transporti rrugor i mallrave”, akuzoi opozitarja LSDM, duke iu referuar dokumenteve të publikuara në media bullgare. Nga partia në pushtet mohojnë, raporton Portalb.mk.

“Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Mickoskit, Igor Janushev, është i lidhur me kompaninë ‘FLUGBAN TRANS’ SHPK me seli në Qystendil. Sipas këtyre dokumenteve, veprimtaria e saj është ‘transporti rrugor i mallrave’. Menaxher është Kire Geshoski, ndërsa partner i tretë është Sasho Apostollovski. Të gjithë janë pjesë e rrethit të Mickoskit. Kompania deklaron qarkullim vjetor prej rreth 320.000 eurosh dhe fitim neto nën 10.000 euro, që është i papërfillshëm në krahasim me qarkullimin”, deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Ajo kërkoi që institucionet kompetente të hapin hetim, duke qenë se Janushev në fletët e deklarimit të pasurisë të dorëzuara në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka deklaruar se është i lidhur me kompani në Bullgari dhe nuk ka raportuar kapital bullgar.

“Ndërsa Mickoski dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt kanë interesa biznesi në Bullgari, në të njëjtën kohë bllokojnë integrimin evropian të Maqedonisë. Ndërsa njerëzit e tij kanë kompani dhe bëjnë biznes përmes kompanive bullgare, qytetarët e Maqedonisë presin me orë të tëra në kufi. Ndërsa qytetarëve u thuhet se identiteti është i rrezikuar, ata kanë pasaporta bullgare dhe janë shtetas bullgarë. A do të japë tani Igor Janushev dorëheqje nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë derisa të zgjasë hetimi për kompaninë e tij në Bullgari? A do t’u përgjigjet Mickoski pretendimeve se së bashku me Limanin kanë përvetësuar 13 hidrocentrale?”, tha Kuzeska.

Nga VMRODPMNE thonë se Janushev asnjëherë nuk ka aplikuar për ndonjë shtetësi tjetër, e aq më pak për shtetësi bullgare, dhe se nuk ka realizuar të ardhura nga kompania në Bullgari.

“Nëse tashmë po mbajnë konferenca për shtyp për këtë temë, atëherë kryetari i SDSM-së, Venko Filipce, le të përgjigjet se me çfarë merren saktësisht disa kompani të tij të regjistruara në Bullgari, në Petrich, në rrugën ‘Goce Dellçev’ nr. 12, dhe nga vjen fitimi i tyre. Matematika e LSDM-së është të mos bëjë asgjë kur është në opozitë dhe vetëm të dezinformojë opinionin, ndërsa përmes afërsisë me autoritete të huaja të përpiqet të vijë në pushtet”, thanë nga VMRODPMNE.

Marrëdhëniet me Bullgarinë janë tensionuar së fundmi edhe nga zjarri i automjeteve në Ambasadën Bullgare në Shkup.

Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.

Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis, Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi ​​një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.

Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.

Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.

Related Articles

Back to top button
Close
Close