
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me atë nëse opozita është pengesë për përmbushjen e detyrës së fundit që rrjedh nga direktivat evropiane, përkatësisht miratimin e Kodit Zgjedhor, deklaroi:
„Ne kishim 10 reforma që duhej t’i përfundonim dhe që ishin në grejs periudhë me afat deri në fund të qershorit. Tani kemi një zgjatje deri në mesin e korrikut dhe ndër to është edhe Kodi Zgjedhor.
Ne vlerësojmë se, kështu siç është momentalisht, mënyra se si voton diaspora, përkatësisht mërgimtarët, nuk përputhet me kapacitetin real. Pra, ekziston pamundësia që ata të dalin në numër të mjaftueshëm për ta realizuar të drejtën e tyre të votës. Veçanërisht mërgimtarët në Australi, Kanada dhe vendet e tjera përtej oqeanit, të cilët duhet të udhëtojnë nga 10 orë në secilin drejtim për ta ushtruar këtë të drejtë.
Ne u përpoqëm të japim një propozim, i cili u pranua së bashku me të gjitha ndryshimet e tjera që përmbajnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Gjithçka ishte përfunduar, ligji ishte nënshkruar. Grupi parlamentar i Levicës nuk deshi ta nënshkruante. Ata thoshin: pajtohemi me gjithçka, faleminderit që na dhatë më shumë para, nuk ka problem, do t’i shpenzojmë. Ajo që po bëjnë tani nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Ky është teatër për një numër të vogël votuesish që ende u besojnë. Imagjinoni sikur këta njerëz ta kenë mundësinë të drejtonin ndonjë institucion, çfarë do të ndodhte. Pastaj thonë, ne nuk nënshkruajmë me ju, e dini, jemi pasues të Robespierit, nuk mundemi me ju. Kështu nuk bëhet. Nëse doni të merrni pjesë, duhet të mbani edhe përgjegjësi. Dhe ne thamë, kështu nuk mundet.
Pastaj hyri në skenë partia e dytë opozitare, LSDM-ja, e cila paraqiti mijëra amendamente, secili gjente ndonjë vërejtje. Prandaj ne dolëm me një propozim të qartë dhe thamë, uluni, merruni vesh në opozitë çfarë doni dhe si e doni. Jepni një propozim në të cilin do të përfshihet votimi i diasporës dhe ne do ta mbështesim pa kushte. Çfarëdo që të kërkoni, ne do ta mbështesim pa kushte. Vetëm ta përfundojmë këtë deri më 15 korrik, që t’i kemi përfunduar me sukses të dhjetë hapat dhe të mund të kalojmë në fazën tjetër.
Ja, ende po presim. Kanë kaluar edhe disa ditë dhe ende nuk kemi një qëndrim të harmonizuar të opozitës. Kur them qëndrim të harmonizuar të opozitës, këtu kam parasysh LSDM-në, Levicën, Bashkimin Demokratik për Integrim dhe një pjesë të deputetëve, për të cilët nuk e di se si funksionojnë aktualisht në kuadër të Parlamentit, por le t’i quaj deputetët e Zijadin Selës dhe deputetët e Arben Taravarit. Kjo është opozita në këtë moment.
Nga ana e grupit parlamentar të shumicës qeverisëse kemi një qëndrim të harmonizuar që thotë, na tregoni çfarë doni, vendoseni në letër dhe ne do ta pranojmë, vetëm të përfshihet votimi i diasporës. Një njësi zgjedhore, një njësi zgjedhore. Më shumë para, më shumë para. Ja, ne do të ulim nga pjesa jonë, edhe pse jemi partia më e madhe politike, le të jenë për ta, nuk kemi asnjë problem. Gjithçka që mendojnë se duhet bërë, ne do ta pranojmë. Por, për fat të keq, deri më sot ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga opozita.”



