BotaLajme

“Do të kthehemi me forcë edhe më të madhe”, Izraeli kërcënon Iranin: Jemi gati të godasim sërish

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) janë të gatshme të rifillojnë operacionet ushtarake kundër Iranit, nëse kjo konsiderohet e nevojshme. Deklarata u bë nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, gjatë një aktiviteti në një bazë ajrore.

“IDF është gati dhe në gatishmëri për të rifilluar operacionet ushtarake me qëllim rifitimin e epërsisë ajrore dhe për të goditur përsëri Iranin për të eliminuar kërcënimet, për herë të tretë, nëse është e nevojshme”, deklaroi ai.

Ministri izraelit theksoi se, nëse situata e kërkon, Izraeli do të ndërmarrë një tjetër operacion ushtarak me intensitet edhe më të lartë.

“Nëse na duhet të kthehemi, do të kthehemi me forcë edhe më të madhe”, u shpreh Katz.

Ai lëshoi gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Teheranit, duke deklaruar se Izraeli është në gjendje të godasë objektiva në çdo pjesë të territorit iranian.

“Krahu i gjatë i Izraelit do t’ju arrijë në Teheran, Tabriz, Isfahan dhe kudo tjetër që përpiqeni të kërcënoni Izraelin dhe ta dëmtoni atë. Nuk ka vend ku mund të fshiheni”, tha ministri i Mbrojtjes.

Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa retorika mes dy vendeve mbetet e ashpër.

Related Articles

Back to top button
Close
Close