
Një shtet fqinj po përhap informacione dhe po lobon pranë Bashkimit Evropian që të mos i ofrojë ndihmë financiare Maqedonisë dhe t’ia shkurtojë të gjitha fondet, me qëllim që vendi të përballet me falimentim financiar dhe të detyrohet të pranojë të gjitha kërkesat që i parashtrohen, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, ai tha se këto informacione burojnë nga takime shumëpalëshe dhe dypalëshe, por nuk zbuloi se cili shtet fqinj, anëtar i Bashkimit Evropian, po e promovon këtë qasje.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare lidhur me pretendimet se Maqedonia ndodhet para kolapsit ekonomik, Mickoski theksoi se të njëjtat teza po i përdor edhe opozita e brendshme.
“Kjo është një tezë shumë e rrezikshme që sot po e përhap opozita. Fakti është se kjo Qeveri po i shlyen të gjitha obligimet e marra nga qeveria e kaluar. Nuk ka asnjë vonesë, në asnjë sektor, qoftë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në mbrojtje apo në resorë të tjerë. Në Ministrinë e Transportit tashmë kemi transferuar projektet e Korridorit 8 dhe 10D te Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, si dhe projektet hekurudhore të Korridorit 8. Po ashtu, po i shlyejmë edhe detyrimet e trashëguara, siç është tatimi solidar, përmes të cilit, sipas nesh, në mënyrë jokushtetuese u janë marrë mjete kompanive, ndërsa tani ne po i kthejmë ato”, deklaroi Mickoski në përgjigje të pyetjes së deputetes Bllagica Lasovska.
Kryeministri shtoi se Qeveria aktuale po i paguan rregullisht edhe vendimet gjyqësore që vijnë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një pjesë e të cilave datojnë prej më shumë se dhjetë vitesh.
“Ne nuk dëshpërohemi, nuk ankohemi dhe nuk mbajmë konferenca për shtyp për të treguar se çfarë kemi trashëguar. Kjo është përgjegjësia jonë dhe ne e kryejmë atë, pavarësisht sfidave me të cilat përballemi. Rezultatet flasin vetë dhe konfirmohen nga shifrat e publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Aty thuhet qartë se, me trefish më pak borxh dhe në trefish më pak kohë, kemi arritur një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto nominal prej 140 milionë dollarësh më shumë krahasuar me qeverinë e kaluar”, tha Mickoski.
Në fund të fjalimit të tij, ai theksoi se pavarësisht lobimeve që, sipas tij, bëhen në dëm të shtetit, reformat dhe agjenda evropiane do të vazhdojnë të realizohen me ritëm të përshpejtuar.
“Që tani po ju paralajmëroj se edhe në qershor do të jemi të parët, ndërsa informacionet për këtë do të publikohen në shtator ose tetor. Objektivi ynë i ardhshëm është që në dhjetor të jemi sërish më të mirët. Kjo është mënyra jonë e punës – të ndërtojmë një shtet të rregullt dhe dinjitoz, me të cilin brezat që vijnë pas nesh do të krenohen. Kjo kërkon kohë, sepse pasojat e politikave të gabuara të qeverisë së kaluar janë shkatërruese dhe katastrofike në shumë fusha. Megjithatë, hap pas hapi dhe në përputhje me burimet që kemi në dispozicion, po i korrigjojmë mangësitë që kemi trashëguar”, deklaroi kryeministri.



