
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, i cili tha se Artan Grubi gjendet në hapësirat shqiptare dhe se i njëjti do të kthehet kur të sigurohet që nuk ka drejtësi selektive. Mexhiti thotë se hapësira shqiptare nuk është strehë për të korruptuarit dhe non-gratat!
“Hapësira shqiptare nuk është strehë për të korruptuarit dhe non- gratat! Mos e njollosni hapësirën shqiptare me vulën e korrupsionit duke e implikuar në fshehjen e të akuzuarve për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Hapësira shqiptare është hapësira që na bën krenarë e dinjitozë, dhe meriton të ngelet e tillë. Personat non-grata nga lista e zezë amerikane nuk guxojnë t’i bëjnë shtetet shqiptare pengje të drejtësisë dhe t’i implikojnë në keqpërdorimet e tyre. Ky është turp për politikën dhe politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Mexhiti.



