
Më 15 mars të 2022-ës, kryeministri Kurti nuk dinte çka të bëjë me tepricën e energjisë elektrike.
Gati tri vjet më vonë, jo që s’ka tepricë të energjisë, por pothuajse çdo cep i Kosovës ka mbetur në terr, raporton Kiks Kosova.
Vendi aktualisht është në kolaps energjetik. Madje nga KESCO po u bëhet thirrje qytetarëve ta kursejnë atë pasi konsumi është tejet i lartë.
Nuk dihet nëse ky konsum lidhet me vetë fushatën e qeverisë për subvencionimin e pajisjeve efiçiente ku për t’u subvencionuar qytetarët duhet të shpenzonin 800 kilovatë, në të kundërtën nuk merrnin mbështetje nga shteti.
Miliona euro u ndanë për këto klima, të cilat sot nuk kanë energji për të funksionuar.
Strategjia e qeverisë po funksionon ndryshe. Vetë ministrja Rizvanolli tash po bën thirrje për t’u ngrohur me diçka tjetër, me dru e pelet.
Qeveria, kohëve të fundit është krekosur për krijimin e stacioneve për prodhimin e energjisë alternative.
Ndërkaq nënstacionet e krijuara tash se voni, kanë nisur t’i prishen.
Kjo pasi më 19 dhjetor 2024, vetë Rizvanolli preu shiritin për inaugurimin e nënstacionit për furnizim me energji elektrike në Fushë-Kosovë.
U tha se ky nënstacion u ndërtua me teknologjinë më moderne të tensionit të lartë, e që do të shërbente në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
Por, burime të Kiksit brenda KOSTT-it, kanë bërë me dije që ky nënstacion nuk ka funksionuar asnjëherë. Si rrjedhojë, fshatrat e Fushë-Kosovës vazhdojnë të kenë probleme me tension të dobët të rrymës e me reduktime të shpeshta.
Madje për të vërtetuar burimet e Kiksit, vetë KESCO ka dërguar në numrat e telefonit që mbulohen nga ky stacion një njoftim ku thuhet se janë duke u bërë punime emergjente në këtë nënstacion.
Për këtë gjendje alarmante, Kiks Kosova ka dërguar pyetje për dy ditë radhazi në KEK, KOSTT, KEDS dhe ZRRE.
Nga KEDS kanë thënë se për shkak të konsumit të lartë, dhe rekord, të energjisë elektrike, po shkaktohen mbingarkesa në asetet, në disa vende në Kosovë.
KEK, KOSTT dhe ZRRE nuk kanë kthyer përgjigje. /Klankosova.tv



