
Në qytetin e Vlorës ka nisur tashmë puna me qëllim restaurimin e Xhamisë së Muradies, një prej monumenteve më të rëndësishme të arkitekturës osmane në Shqipëri.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka bërë të ditur se kanë nisur përgatitjet e kantierit, nën mbikëqyrjen e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Vlorë.
Ministri Blendi Gonxhja, tha se projekti, i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) synon restaurimin dhe ruajtjen e këtij monumenti me vlera të veçanta historike, arkitekturore dhe kulturore.
Gonxhja njoftoi se punimet do të nisin së shpejti duke u zbatuar sipas standardeve bashkëkohore të konservimit dhe restaurimit, me respekt të plotë për autenticitetin dhe integritetin historik të monumentit.
Ky investim do të kontribuojë në mbrojtjen e një prej simboleve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Vlorës, duke garantuar ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të tij për brezat e ardhshëm, thuhet nga ministria.
Xhamia shekullore e Muradies, ndodhet në Vlorë dhe është ndërtuar nga Mimar Sinani.
Sipas një mbishkrimi që ka qenë i vendosur në hyrje, xhamia është ndërtuar në vitin 1542 me urdhërin e Sulltan Sulejmanit. Ajo ndodhet në zemër të qytetit të Vlorës, pranë Sheshit të Flamurit.



