
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan dhe homologu i tij kuvajtian, Jarrah Jaber Al Ahmad Al Sabah, diskutuan sot në një telefonatë mbi situatën e fundit në rajon, thanë burimet diplomatike turke, transmeton Anadolu.
Nuk u dhanë detaje të mëtejshme në lidhje me telefonatën, sipas burimeve.
Të shtunën, Kuvajti tha se ushtria e tij shkatërroi dronë iranianë pasi sulmet shënjestruan një strukturë qeveritare, si dhe automjete civile, në ishullin Bubiyan, duke shkaktuar dëme materiale, por jo viktima. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Saud Al-Atwan tha se forcat e armatosura kishin zbuluar “dronë armiqësorë” në hapësirën ajrore të Kuvajtit që nga mëngjesi i së shtunës dhe i “shkatërruan ato”.
Ai tha se “agresioni iranian” shënjestroi disa instalime jetësore, përfshirë një strukturë qeveritare në Kuvajtin verior dhe automjete që i përkisnin një kompanie civile në ishull. Mbeturinat që binin shkaktuan dëme materiale, por nuk u raportuan të lënduar, shtoi Al-Atwan.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga shkurti, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit dhe Teherani u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë që shënjestruan vendet e Gjirit që strehonin asete ushtarake amerikane.
Burime qeveritare pakistaneze i thanë sot Anadolu-t se “asnjë datë apo vend” nuk është përcaktuar ende për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta të ngecura prej kohësh midis SHBA-së dhe Iranit që synojnë t’i japin fund luftës së tyre disamujore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha më parë se negociatat e reja me Teheranin do të fillonin sot pasdite, pasi ai vendosi të shtyjë sulmet ndaj Iranit ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei tha sot se Teherani nuk ishte i angazhuar në negociata me Washingtonin.



