LajmeMaqedoniTopLajm

Transportuesit nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni paralajmërojnë bllokada në kufijtë me BE-në nga 14 shtatori

Transportuesit nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi kanë paralajmëruar protestë, e cila pritet të nisë më 14 shtator në pikat kufitare drejt Bashkimit Evropian, për shkak të problemeve me kufizimin e qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen.

Sipas Asociacionit për Transport Ndërkombëtar, vetëm gjatë javës së fundit më shumë se 50 shoferë profesionistë serbë janë kthyer nga kufijtë e Shengenit.

Nga Asociacioni theksojnë se, pavarësisht thirrjeve të bëra prej disa muajsh për zgjidhjen e problemit, shoferët nga Ballkani Perëndimor vazhdojnë të përballen me kthime në kufi, dëbime dhe ndalime hyrjeje, për shkak të rregullit që lejon qëndrimin deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Transportuesit thonë se institucionet evropiane tashmë e kanë njohur problemin e shoferëve profesionistë, të cilët për shkak të natyrës së punës kanë nevojë për qëndrim më të gjatë në zonën Shengen, por deri më tani nuk është ofruar një zgjidhje konkrete.

“Që nga protestat e janarit nuk është ofruar asnjë zgjidhje efikase dhe konkrete. Për këtë arsye, transportuesit, së bashku me punonjësit e tyre, janë të detyruar të luftojnë për ekzistencën me mekanizmin e vetëm të mbetur, e ai është protesta”, thuhet në njoftim.

Para bllokadave të paralajmëruara, transportuesit do të organizojnë tubime publike paqësore para selive të delegacioneve të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Aty do t’u dorëzohet institucioneve evropiane një ftesë zyrtare e përbashkët, me kërkesë që problemi të zgjidhet urgjentisht dhe të shmangen protestat në pikat kufitare.

Nëse nuk arrihet një zgjidhje, protestat e transportuesve nga të katër shtetet do të nisin më 14 shtator.

Related Articles

Back to top button
Close
Close