
Derisa Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me bllokada dhe kushte të reja në rrugën drejt Bashkimit Evropian, nga Brukseli vjen një afat konkret për një tjetër vend të Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi, sipas presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, dhe kryeministrit çek Andrej Babish, ka një mundësi reale për t’u bërë anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028.
Costa dhe Babish, gjatë një takimi të zhvilluar sot në Pragë, vlerësuan se Mali i Zi është aktualisht vendi kandidat që ka avancuar më së shumti në procesin e integrimit evropian. “Procesi i zgjerimit është prioritet gjeopolitik. Para së gjithash në Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu edhe për Ukrainën dhe Moldavinë. Ky është një proces që bazohet në përmbushjen e kritereve. Në këtë moment, Mali i Zi ka arritur më së largu”, deklaroi Costa në konferencën për media pas takimit me Babishin.
Presidenti i Këshillit Evropian tha se në BE ekziston optimizëm se Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat për kapitujt deri në fund të këtij viti, ndërsa gjatë vitit 2027 të zhvillohen negociatat për vetë marrëveshjen e anëtarësimit. “Ne tashmë kemi formuar një grup pune për përgatitjen e marrëveshjes së anëtarësimit në BE”, tha Costa, duke theksuar se krahas reformave që duhet të realizojnë vendet kandidate, edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të reformojë institucionet e tij.
Sipas tij, BE-ja pritet të paraqesë propozime për këto reforma gjatë vitit të ardhshëm.
Kryeministri çek Andrej Babish u pajtua me vlerësimin e Costas, duke thënë se Mali i Zi është plotësisht i përgatitur për anëtarësim. “Shpresoj që simbolikisht, si anëtari i 28-të i BE-së, të anëtarësohet në vitin 2028. Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor presin prej shumë kohësh. Më herët i kemi dhënë premtime edhe Maqedonisë së Veriut. Mali i Zi është gjithashtu anëtar i NATO-s. Shpresoj që gjithçka të përfundojë ashtu siç dëshirojmë të gjithë”, deklaroi Babish.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe buxheti shumëvjeçar i BE-së për periudhën 2028–2034. Costa tha se pret që vendet anëtare të arrijnë marrëveshje për buxhetin deri në fund të këtij viti, duke ruajtur fondet për politikat tradicionale, përfshirë bujqësinë, por edhe duke siguruar financim për prioritetet e reja, si mbrojtja dhe siguria.
Babish, ndërkohë, kundërshtoi shkurtimet e propozuara në fondet e kohezionit dhe bujqësisë. “Për ne janë të papranueshme shkurtimet e fondeve të kohezionit dhe bujqësisë, siç propozon Komisioni Evropian. Natyrisht, mbështesim investimet në mbrojtje dhe teknologji, por kjo nuk duhet të bëhet në dëm të rajoneve tona”, tha ai.
Costa gjatë këtyre ditëve po zhvillon vizita në të gjitha vendet anëtare të BE-së, me qëllim që të dëgjojë kërkesat dhe vërejtjet e tyre dhe të lehtësojë arritjen e një kompromisi për buxhetin e ardhshëm të Unionit.



