Liliana Cingu u angazhua që në moshën 12-vjeçare në Pallatin e Pionerëve, ndërsa në moshën 16-vjeçare ajo u rendit mes profesionistëve në Ansambël. Besim Zekthi e Zoica Haxho, ishin ndër të parët që e inspiruan, e më pas ndanë skenën me të. Ndër daljet e fundit në skenë, veçonte recitalin e fundit me të madhin, Rexhep Çelikun dhe artistët e tjerë 13 vjet më parë.
Liljana Cingu përshkroi të gjithë shqiptarinë në valle nga ”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”, “Oshëtima e maleve”, “Dasma e Rugovës”, ndër kërcimet e saj më të adhuruara ishte “Luftëtarët e lirisë” me heronjtë Azem Galica dhe Shote Galica.
Gjatë trazirave në Shqipëri, në ’97-ën, Cingu u zhvendos për disa vjet në Kanada, por edhe jashtë vendit, (gjithashtu u angazhua me vallen në Amerikë) ajo çoi bukurinë e valleve shqipe, duke punuar me të rinj të talentuar.
E konsideruar si “Perëndesha e valleve”, Cingu ishte gjithashtu një zë kritik, për investimin e nevojshëm tek artistët e Ansamblit, me shqetësimin që të përçohej tradita e vendit tonë dhe angazhimin për t’u trashëguar brezave vallen e bukur shqipe.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të valltares Liljana Cingu.
Basha shkruan se Cingu e ngjiti vallen tonë në skenat më të rëndësishme të botës.
“I hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta i ikonës dhe “Mbretëreshës së valles shqiptare”, Lili Cingu. Falë talentit dhe punës së saj të palodhur, Lili Cingu ishte pararojë e një brezi të ndritur artistësh që e ngjitën vallen tonë në skenat më të rëndësishme të botës.
Ndarjet janë përherë të dhimbshme, por artistët si Lili Cingu jetojnë gjatë në memorien e artdashësve për emocionet e papërshkrueshme që u kanë dhuruar për vite me radhë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Cingu, të afërmit, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e mjeshtres së madhe! U prehtë në paqe”, shkruan Basha.