Një delegacion i kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga më 8 shkurt do të qëndrojë për vizitë në Ankara ku do të ketë takime me përfaqësuesit zyrtarë turk, ndërsa një nga çështjet për të cilat do të bisedohet është ekstradimi i Lupço Palevskit, i dyshuar për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit. Kryeministri teknik Talat Xhaferi në intervistë për MIA-n thotë se nuk dëshiron të prejudikoj nëse këto bisedime do të mund ta përshpejtojnë ekstradimin e Palevskit, por thekson se është i nevojshëm komunikim personal dhe i drejtëpërdrejtë që të shihet se çka duhet të bëhet më tutje.
Nga Ministria e Drejtësisë për MIA-n konfirmuan se Lloga do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Turqi më 8 shkurt bashkë me përfaqësues të gjyqësorit. Do të takohet me ministrin e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, ndërsa janë paraparë edhe takime me kryetarin e Kuvendit, me kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme, si dhe me përfaqësues të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se nuk mund të ndajnë informacione zyrtare se kur do të ekstradohet Palevski, ndërsa për atë se sa kohë ai mund të mbetet në Turqi është çështje e autoriteteve turke në bazë të ligjeve të tyre. Kur do të sillet në vend, Palevski do të dërgohet në institucionin ndëshkues – korrigjues në bazë të vendimit të gjykatës dhe më tutje vijon procedura para organeve gjyqësore.