LajmeMaqedoniTopLajm

Maqedonia e Veriut beson në marrëveshje të shpejtë me Bullgarinë

Maqedonia e Veriut ka paralajmëruar mundësinë e kapërcimit të dallimeve me Bullgarinë, e cila ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Dy vendet, siç bëhet e ditur, kanë shkëmbyer dokumente dhe oferta për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por zyrtarisht nuk jepen detaje mbi përmbajtjen e tyre.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka deklaruar se dallimet mes dy shteteve mund të zgjidhen edhe nëse palët mbeten në qëndrimet e tyre.

“Nuk flasim për lëshime nga palët pasi ka mënyra për të zgjidhur dallimet. Sigurisht, e theksoj edhe një herë, jam i kënaqur që Bullgaria e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe besoj se përmes atyre formulimeve zgjidhjet do të gjenden…besoj se do të tregojmë edhe një herë se jemi miq të shkëlqyeshëm”, tha Zaev.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një takimi me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov deri në mbledhjen e radhës të Këshillin të ministrave të BE-së, që është paraparë të mbahet në muajin dhjetor.

Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një debat televiziv ka thënë se “është çështje kohe kur dy vendet do të kapërcejnë dallimet”, duke theksuar se “tani nuk është koha që të shpalosen para opinionit ofertat dhe dokumentet e shkëmbyera”.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur shkeljet, që sipas saj, Maqedonia e Veriut i ka bërë Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, të arritur në vitin 2017.

“Devijimet nga formula për historinë dhe gjuhën, ngecja në punën e komisionit historik dhe ndërqeveritar, mbështetje për pretendimet për njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari, gjuha e urrejtjes dhe pengesat për biznesin bullgar në Maqedoninë veriore”, janë disa nga shkeljet sipas Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

Lidhur me gjuhën, Bullgaria konsideron se marrëveshja është shkelur me heqjen dorë nga e ashtuquajtura klauzolë gjuhësore në formate dhe dokumente ndërkombëtare. Sofja kërkon që të mos përmendet fare termi “gjuhë maqedonase”, por “gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close