LajmeSport

Manchester United pret Evertonin, Reali luan në transfertë ndaj Huescës

E shtuna do të jetë si gjithmonë mjaft emocionuese, me një sërë takimesh nga ligat më të forta europiane, teksa gjithçka do të startojë në orën 13:30 me përballjen Aston Villa-Arsenal.

“Topçinjtë” vijnë pas dy hapash fals radhazi dhe do të kërkojnë rikthimin te suksesi, për të mos u larguar shumë nga zona europiane, megjithatë Aston Villa është një skuadër në formë mjaft të mirë dhe nuk do të jetë aspak e lehtë.

Po nga kampionati anglez, në mbrëmje do të vijë një përballje mjaft interesante si Manchester United-Everton, dy skuadra që këtë sezon po bëjnë mirë dhe garantojnë për një 90-minutësh mjaft të luftuar.

Skuadra e Solskjaer vjen pas fitores së thellë e historike si ajo 9-0 ndaj Southamptonit, ndërsa Everton pas triumfit të vështirë 1-2 në transfertën ndaj Leeds United, teksa sot të dyja do të luajnë për tre pikët, pasi barazimi nuk i bën punë askujt.

Kampionati spanjoll do të vijë gjithashtu me tre ndeshje të vlefshme për javën e 21-të, teksa do të transmetohen live në SuperSport Levante-Granada, Huesca-Real Madrid dhe Sevilla-Getafe.

Natyrisht që vëmendja do të jetë te përballja e Realit me Huescën në orën 16:15, një sfidë ku madrilenët do të kërkojnë rikthimin te suksesi, pasi me titullin kampion që duket një mirazh, nuk duhet të vënë në dyshim renditjen në katërshen e parë.

Kampionati gjerman do të vijë me përballjet Schalke 04-Leipzig në orën 15:30 dhe Borussia M’Gladbach-Koln në orën 18:30, ndërsa live do të transmetohet edhe përballja e kampionatit holandez PSV-Twente, në orën 16:30.

Related Articles

Back to top button
Close
Close