LajmeSport

Zidane: Meritoj më shumë respekt, na lini të garojmë për objektivat tanë

Zërat mediatikë që flasin për një largim të Zinedine Zidane nga pankina e Realit të Madridit në fund të sezonit, duket se kanë shqetësuar jo pak trajnerin francez, i cili ka reaguar ashpër dje në konferencën për shtyp në prag të transfertës ndaj Huescës.

Pasi ka mposhtur koronavirusin, Zidane do të ulet sërish në pankinë duke filluar nga pasditja e sotme, ndërsa për mediat tha se Reali është ende pretendent për titullin kampion, ashtu si edhe për Ligën e Kampionëve, ndaj kërkoi më shumë respekt.

“Nuk meritoj të trajtohem kështu, pasi kemi fituar titullin kampion vitin e kaluar dhe meritoj më shumë respekt. Kemi të drejtën të garojmë deri në fund për të arritur objektivat tanë, ndaj na lini ta bëjmë këtë. Sigurisht që në fund të sezonit mund të ketë ndryshime, por deri atëherë ne do të luajmë për objektivat tona. Ma thoni në sy nëse më doni jashtë klubit, jo pas shpine”, tha Zidane në konferencë për shtyp.

Fjalët e trajnerit francez ishin një sinjal i qartë se ai do të qëndrojë në pankinën e Realit të Madridit minimalisht deri në fund të sezonit. Për të provuar të fitojë një tjetër trofe dhe të ruajë të drejtën për të vijuar punën në kryeqytetin spanjoll.

Aktualisht Reali ka mbetur plot 10 pikë mbrapa Atleticos së Madridit që kryeson renditjen në kampionatin spanjoll dhe titulli duket një mision i pamundur, megjithatë “Los Blancos” kanë siguruar edhe kalimin në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, një kompeticion ku janë ekspertë.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close