
Profesori i njohur i Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
“Nëse Vuçiq do të kishte qoftë edhe një pjesë të vetme të tij që nuk pajtohej me këtë, ai do ta shkarkonte menjëherë. Është një deklaratë aq e dënueshme sa është e vështirë ta përshkruash”, deklaroi Serwer.
Sipas profesorit amerikan, fakti që Paunoviq vazhdon të mbajë postin e saj ngre pikëpyetje jo vetëm për deklaratën në fjalë, por edhe për qëndrimin e institucioneve serbe ndaj retorikave që lidhen me spastrimin etnik.
Deklarata e ministres serbe, e bërë më 11 korrik gjatë një interviste në Kurir TV, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare.
Paunoviq, e cila vjen nga radhët e Partisë Socialiste të Serbisë, është kritikuar gjerësisht për deklaratat e saj, të cilat janë cilësuar si normalizim i ideve që lidhen me krimet dhe dëbimet masive të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Pas reagimeve të shumta, institucionet e Kosovës e kanë shpallur Paunoviqin person non grata, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj saj.



