LajmeMaqedoniTopLajm

LSDM i kërkoi Afrim Gashit video-incizimet nga Kuvendi për incidentin me Ivan Stoilkoviqin

Grupi parlamentar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) ka kërkuar që t’i dorëzohen video-incizimet nga seanca numër 112 e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe pamjet nga hapësira para hollit të sallës “Maqedonia”, për periudhën kohore nga ora 17:00 deri në 19:00. Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, LSDM kërkon sigurimin e incizimeve për të pasur një pasqyrë të plotë lidhur me incidentin e shkaktuar nga ministri Ivan Stoilkoviq, transmeton Portalb.mk.

Dokumenti, i publikuar nga Alsat, kërkon që materialet filmike të dorëzohen në formë elektronike, nëse kjo është e mundur, ose në një mënyrë tjetër të përshtatshme, në përputhje me rregulloret dhe procedurat e Kuvendit.

“Kërkoj që regjistrimi të më ofrohet në formë elektronike, nëse është e mundur, ose në një mënyrë tjetër të përshtatshme në përputhje me rregulloret në fuqi dhe procedurat e Kuvendit”, thuhet në kërkesën e koordinatorit të Grupit Parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski.

Kërkesa vjen pas përplasjeve në seancën për rindërtimin e Qeverisë, ku opozita akuzoi Stoilkoviqin për fyerje dhe sjellje të papërshtatshme ndaj deputetëve, ndërsa kërkoi që përmes pamjeve filmike të zbardhen zhvillimet gjatë incidentit.

Sipas opozitës, gjatë pauzës së seancës, Ivan Stoilkoviq ka sulmuar verbalisht deputetë të opozitës. Deputetja e BDI-së Arbana Pasholli reagoi pas incidentit, duke kërkuar reagim urgjent nga partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar në hartimin e Kodit të Sjelljes Etike për deputetët.

Pasholli theksoi se Kodi i Sjelljes Etike nuk është miratuar brenda natës, por është rezultat i gjashtë viteve punë, dialogu dhe harmonizimi mes të gjitha partive politike, proces në të cilin, siç tha, ka qenë edhe vetë pjesë aktive.

Ajo u bëri thirrje Programit Zviceran për Mbështetje Parlamentare, Ambasadës së Zvicrës, Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Misionit të OSBE-së në Shkup që të reagojnë ndaj, siç e quajti, sjelljes denigruese, fjalorit fyes dhe gjuhës së urrejtjes të ministrit të sapozgjedhur Ivan Stoilkoviq në sallën e Kuvendit.

“Dua të di: Në botën e zhvilluar perëndimore dhe në demokracitë e konsoliduara, si veprohet në raste të tilla? A konsiderohet kjo sjellje e pranueshme për një funksionar publik, apo pason reagim i menjëhershëm dhe kërkim i përgjegjësisë?“, shkroi Pasholli, duke shtuar se nëse sjellje të tilla kalojnë pa reagim, atëherë vihet në pikëpyetje zbatimi dhe qëllimi i Kodit të Sjelljes Etike.

Ndërkaq, edhe deputetja tjetër e BDI-së, Arta Bilalli-Zendeli, deklaroi se objekt i sulmit verbal të Stoilkoviqit ka qenë edhe deputetja Arbana Pasholli.

“Arbana Pasholli sot u sulmua verbalisht nga zëvendëskryeministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Etnike i Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM, Ivan Stoilkoviq, gjatë pauzës së seancës në të cilën ai pritej të zgjidhej ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Është kjo një sjellje e papranueshme, jonormale dhe pa dyshim ofenduese, jo vetëm ndaj Arbanës, por ndaj të gjitha nënave, grave, bijave dhe vajzave shqiptare në politikë. Sulmi dhe sjellja e tij ofenduese ndaj një deputeteje shqiptare vetëm sa na i sjell në vëmendje qëndrimet e tij të hapura antishqiptare”, shkroi Bilalli-Zendeli.

Ajo shtoi se Stoilkoviq po zgjidhet ministër i Vetëqeverisjes Lokale me votat e deputetëve të VLEN-it, duke kritikuar edhe përbërjen e koalicionit qeverisës.

Ndërkohë, grupi parlamentar i LSDM-së njoftoi në një konferencë të jashtëzakonshme se Ivan Stoilkoviq gjatë debatit për rindërtimin e Qeverisë kishte fyer edhe deputetët Fatmir Bytyqi dhe Mitko Trajçulleski.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, deklaroi se edhe kryeministri Hristijan Mickoski kishte përdorur gjuhë fyese ndaj deputetëve, duke i quajtur ata “mizogjenë” dhe “plehra”. Ai kritikoi edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për mungesën e reagimit ndaj zhvillimeve në sallë.

Deputetët e opozitës reaguan pasi, sipas tyre, pas koordinimit me kryetarin e Kuvendit ishte arritur pajtim që të miratohej një konkluzion për dënimin e sjelljes së Stoilkoviqit, por ai nuk kërkoi falje.

Në shenjë revolte, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e braktisën seancën në të cilën pritej të votoheshin ministrat e rinj.

“Si rezultat i incidentit në Kuvend me Ivan Stoilkoviqin, ne reaguam në përputhje me paraqitjen dhe sjelljen e tij, duke mbrojtur dinjitetin institucional dhe qëndrimet tona politike. Çdo provokim apo deklaratë që cenon vlerat e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë do të marrë përgjigjen e merituar politike dhe institucionale nga ana jonë”, reaguan nga Aleanca për Shqiptarët.

Pas zhvillimeve, kryeministri Hristijan Mickoski, në fund të debatit dhe para votimit për ministrat e rinj, kërkoi falje për ngjarjet e ndodhura në Kuvend.

“Si kryetar i Qeverisë, dua t’ju kërkoj falje juve, deputetëve dhe qytetarëve që sot ishim dëshmitarë të këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që kjo të mos na ndodhë më kurrë”, deklaroi Mickoski.

Më pas, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se kërcënimet dhe fyerjet e drejtuara ndaj deputetëve nga Mickoski dhe Ivan Stoilkoviq janë shenjë dobësie.

Related Articles

Back to top button
Close
Close