LajmeMaqedoniTopLajm

LSDM: Edhe në kohë krize treguam sukses me rritjen e pagave dhe menaxhim të mirë ekonomik

“Me LSDM-në, edhe në krizën më të madhe ekonomike botërore, pagat janë vazhdimisht në rritje, në të gjithë sektorët. LSDM e realizoi një nga premtimet më të rëndësishme zgjedhore, pagën mesatare prej 30.000 denarëve. Tashmë e kemi rritur pagën minimale në 18.000 denarë, që është dy herë më shumë në krahasim me kohën e regjimit të OBRM-PDUKM-së kur mezi ishte 8.800 denarë”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Nga partia theksojnë se kanë arritur marrëveshje për rritje historike të pagave në arsim në vlerë prej 15 për qind, që nga shtatori i këtij viti, përkatësisht rritje mesatare prej mbi 3.500 denarë.

“Për përkujtim, në kohën e qeverisjes së OBRM-PDUKM-së, pagat në arsim u rritën mezi 4%. Krahas arsimit, rritja e pagës minimale, sipas Ligjit për pagën minimale, përcillet me harmonizim dhe rritje adekuate të pagave në të gjithë sektorët, siç ishte dhe në vitet e kaluara kur pagat në shëndetësi, mbrojtjen e fëmijëve, polici e në shumë sektorë të tjerë u balansuan. Me metodologjinë e re të dakorduar sigurojmë rritje të vazhdueshme të pensioneve për mesatarisht 900 denarë, që është rritje rekord e pensioneve në historinë e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga LSDM.

Partia maqedonase në pushtet rezultatet e lartëpërmendura i ka quajtur si sukses dhe mirë menaxhim.

“Të gjitha këto rezultate reale dhe të dukshme konfirmojnë suksesin e politikave ekonomike të LSDM-së. Edhe në kohën e krizës më të madhe, LSDM-ja si parti përgjegjëse i përmbush premtimet e dhëna dhe vazhdon ta mbrojë standardin e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close