LajmeMaqedoniTopLajm

Progresi i Maqedonisë: Rreformat kyçe pa asnjë përparim (TABELA)

Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut ka hyrë në një fazë stagnimi, me mungesë progresi në shumicën e reformave kyçe që përcaktojnë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këtë e konstaton dokumenti “North Macedonia 2025 – Cluster State of Play” i Komisionit Evropian, i cili jep një pasqyrë të qartë se vendi ka mbetur në vend në një numër të madh kapitujsh negociues, shkruan gazeta KOHA.

Sipas vlerësimit të Komisionit REvropian, problemet më serioze evidentohen pikërisht në Klasterin e parë – “Themeloret”, që konsiderohet baza e gjithë procesit negociues. Në këtë segment nuk është shënuar asnjë progres në kapitullin për gjyqësorin dhe të drejtat themelore, ndërsa pa përparim kanë mbetur edhe funksionimi i sistemit gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit. Liria e shprehjes vlerësohet vetëm me “progres të kufizuar”, ndërsa drejtësia, liria dhe siguria po ashtu kanë regjistruar vetëm përparim minimal. Ky regres është evidentuar për periudhën 2024-2025.

Edhe në fushën e tregut të brendshëm tabloja mbetet shqetësuese. Komisioni Evropian konstaton se nuk ka pasur asnjë progres në lëvizjen e lirë të mallrave, lëvizjen e punëtorëve, të drejtën e shoqërive tregtare, pronësinë intelektuale dhe politikën e konkurrencës. Në shumicën e këtyre kapitujve vendi vazhdon të mbetet vetëm “mesatarisht i përgatitur”, pa arritur të zbatojë reformat e nevojshme për t’u afruar me standardet evropiane.

Ngecje është evidentuar edhe në Klasterin për Konkurrueshmëri dhe Rritje Gjithëpërfshirëse. Ndërsa disa fusha kanë regjistruar përparim të kufizuar ose të pjesshëm, politika industriale dhe ajo e ndërmarrjeve nuk kanë shënuar asnjë progres gjatë periudhës raportuese. Arsimi dhe kultura, tatimet dhe fusha të tjera kyçe kanë mbetur në nivel të reformave të kufizuara.

Në Klasterin e Agjendës së Gjelbër dhe Lidhshmërisë së Qëndrueshme nuk evidentohet asnjë fushë me progres të konsiderueshëm. Transporti dhe energjia kanë regjistruar vetëm “disa përparime”, ndërsa rrjetet trans-evropiane dhe mjedisi vazhdojnë të karakterizohen nga progres i kufizuar. Gjendje e ngjashme paraqitet edhe në kapitujt që lidhen me politikën rajonale, fondet strukturore dhe dispozitat financiare e buxhetore.

Nga analiza e përgjithshme e dokumentit rezulton se numri i kapitujve ku Komisioni Evropian konstaton “no progress” është dukshëm më i madh sesa ai i kapitujve ku është regjistruar progres i mirë. Mungesa e reformave prek pikërisht sektorët që Brukseli i konsideron themelorë për hapjen dhe avancimin e negociatave, si sundimi i ligjit, gjyqësori, lufta kundër korrupsionit, administrata publike dhe funksionimi i ekonomisë së tregut.

Dokumenti i Komisionit Evropian krijon një panoramë të qartë se, gjatë periudhës raportuese 2024-2025, Maqedonia e Veriut nuk ka arritur të përshpejtojë procesin reformues. Përkundrazi, në shumicën e kapitujve vendi ka mbetur në vendnumëro, ndërsa në fushat më të rëndësishme për integrimin evropian nuk është regjistruar asnjë përparim, duke konfirmuar ngecjen e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close