
Boksierja e njohur kosovare, Donjeta Sadiku, i ka siguruar zyrtarisht Kosovës medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Sadiku triumfoi në meçin çerekfinal në kategorinë deri në 60 kilogramë përballë boksieres nga Turqia, Esmanur Lok, duke garantuar kështu të paktën medaljen e bronztë dhe kalimin në gjysmëfinale.
E udhëhequr nga trajnerja Marjola Sallauka dhe e mbështetur nga tribunat nga komuniteti kosovar e krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës, Sadiku zhvilloi një përballje taktike mjaft të mirë.
Pas meçit, ajo u shpreh se fitorja erdhi sipas planit të përgatitur, por theksoi se synimi i saj i vetëm mbetet ngjitja në majën e podiumit për të dëgjuar himnin e Kosovës në Itali. Në gjysmëfinale, Donjeta Sadiku do të përballet me boksieren nga Greqia, Sofia Legaki, ku kërkon fitoren për t’u kualifikuar në finalen e madhe dhe për të luftuar për medaljen e artë.



