
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti njëherit një nga themeluesit e UÇK-së përmes një postimi ka kujtuar 27 vjetorin e rënies së Ismet Jasharit duke shënuar se emri, vepra dhe sakrifica e Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës janë të skalitura përgjithmonë në historinë dhe kujtesën tonë kombëtare, shkruan Top24
Koha kalon, por emri, vepra dhe sakrifica e Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës janë të skalitura përgjithmonë në historinë dhe kujtesën tonë kombëtare.
Në 27 vjetorin e rënies së tij heroike, përulemi me nderim para bashkëveprimtarit, mikut dhe luftëtarit të paepur të lirisë, i cili ndër të parët iu përgjigj pa hezitim thirrjes së Kosovës dhe u rreshtua aty ku shkruhej historia me gjak e sakrificë.
Komandant Kumanova nuk luftoi vetëm për lirinë e Kosovës, por për idealin e madh të lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Kontributi i tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrifica sublime për atdheun mbeten testament i atdhedashurisë dhe frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë.
Lavdi e përjetshme Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! 




