
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar thirrjen për realizimin e së drejtës për racion të subvencionuar studentor për vitin akademik 2026/2027 dhe i ka ftuar të gjithë studentët që i plotësojnë kushtet të aplikojnë.
Të drejtë aplikimi kanë shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, studentët e rregullt të regjistruar në ciklin e parë, ciklin e dytë ose në studime të integruara në universitetet shtetërore dhe private, të cilët nuk kanë të ardhura mujore nga asnjë bazë më të larta se paga minimale neto në vend për vitin aktual.
Kandidatët duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike në https://e-uslugi.mon.gov.mk/ dhe gjatë aplikimit duhet të plotësojnë formularët Aplikim për fitimin e së drejtës për racion të subvencionuar studentor dhe Deklaratë për saktësinë e të dhënave të paraqitura në aplikim, t’i nënshkruajnë dhe t’i bashkëngjisin aplikacionit elektronik.
Afati për aplikim për studentët aktualë, si dhe për personat që do të regjistrohen dhe do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2026/2027, është nga 26 deri më 31 gusht 2026.
Gjithashtu, duke filluar nga tetori, nga data 1 deri më 5 të çdo muaji, do të jetë i hapur afati për aplikim për studentët që nuk e kanë fituar të drejtën për racion të subvencionuar studentor përmes kësaj thirrjeje, ose të cilëve u ka përfunduar kjo e drejtë për shkak të mosplotësimit të ndonjërit prej kritereve, në momentin kur ata i plotësojnë sërish kushtet.



