
Joao Felix u prezantua zyrtarisht si lojtar i Milanit në një konferencë për shtyp, edhe pse tashmë ka luajtur dy ndeshje dhe ka shënuar një gol me fanellën kuqezi. Një nga temat për të cilat u ndal Felix ishte marrëdhënia me disa nga bashkatdhetarët e tij, veçanërisht me Rafael Leao:
“Duhet të them se ai ishte i pari që më telefonoi për të më pyetur nëse ishte e vërtetë që do të vija te Milani. Më pyeste nëse do të firmosja apo jo. Sapo e bëra, më telefonoi dhe ishte shumë i lumtur. Kemi një marrëdhënie të mirë, tashmë kemi krijuar edhe një lidhje të mirë në fushë. Më pëlqen ta kem përkrah”.
Në lidhje me Rui Costa, një nga portugezët më të njohur që ka luajtur për Milanin dhe që më vonë u bë drejtues te Benfica, Felix tha: “Sigurisht që e njoh Rui Costa. Kur luaja te Benfica, ai punonte atje dhe tani është president. Kam folur shumë me të kur isha te Benfica, por vitet e fundit nuk kemi pasur shumë kontakte. Nuk e mbaj mend kur luante te Milani, por ato që di, i kam parë në YouTube. E di që është një idhull këtu, ashtu si Kaká, i cili ka bërë histori”.
Felix për eksperiencën te Milani: “Kemi marrë dy fitore. Pata mundësinë të luaja në ‘San Siro’ dhe të shënoja për Milanin. E dija sa i madh është ky klub, por kur je brenda, e kupton që është një nga klubet më të mëdha në Europë”.
Për idhullin e tij: “Gjithmonë kam pasur si idhull Kaká. Nuk kam folur me të për Milanin, por kemi shkëmbyer disa ide në të kaluarën. Ai është idhulli im, por nuk mund ta krahasoj veten me të. Shpresoj të bëj histori si ai”.
Për formacionin sulmues me katër lojtarë: “Sigurisht që është e mundur. Mbrojtja është e rëndësishme, por kjo nuk do të thotë që me katër sulmues nuk mund të mbrohesh. Ne të gjithë kontribuojmë në fazën mbrojtëse dhe kërkojmë ekuilibrin, siç e keni parë edhe në pjesën e dytë kundër Empolit”.
Për Conceicao: “E njihja trajnerin, kisha luajtur kundër tij dhe e ndiqja. I thashë se çfarë prisja, të luaja në rolin tim. Nuk më tha nëse do të luaja shumë apo pak, por më siguroi që do të luaja në pozicionin tim, dhe kjo më bindi të vija te Milani”.
Për të ardhmen: “Për momentin jam në huazim deri në qershor. Do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Po e shijoj gjithçka; klubin, njerëzit, ambientin. Më kanë pritur shumë mirë. Gjëja më e rëndësishme është të ndihesh mirë aty ku je, dhe unë këtu ndihem mirë. Nëse do të ketë mundësi për të qëndruar, do të më pëlqente”.
Për zgjedhjen e numrit 79: “Është një numër shumë i veçantë për mua, ishte numri im i parë si profesionist. E kam gjithmonë me vete në karrierën time. Më pëlqejnë 79, 14, 11, 7, por ky është më i veçanti”.
Për objektivat e tij me Milanin: “Dua të ndihmoj ekipin dhe të fitojmë trofe. Një karrierë suksesi ndërtohet mbi titujt e fituar. Ky është objektivi im dhe për aq kohë sa do të jem këtu, do të punoj për këtë”.
Për “San Siron”: “Atmosfera ishte fantastike. Kam përjetuar emocione të mëdha te Benfica dhe Atletico Madrid, por këtu ishte ndryshe. Nuk e prisja një pritje të tillë. Mund ta ndieja dashurinë e tifozëve. Ishte e pabesueshme dhe shpresoj të vazhdojë kështu”.
Zlatan Ibrahimovic foli gjithashtu për portugezin: “U prezantua me një gol magjik, por sot i themi mirëseardhjen zyrtarisht. Ai ishte blerja jonë e fundit në merkaton dimërore. Është një talent i madh, me shumë përvojë, por ende i ri dhe me hapësirë për t’u përmirësuar.
Kërkonim një lojtar mes mesfushës dhe sulmit, i cili mund të bënte diferencën ndaj skuadrave që mbrohen fort. Ai është një lojtar me magji në këmbë dhe këtë ose e ke, ose jo. Kemi besim tek ai dhe tani duhet ta ndihmojmë të japë maksimumin”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.



