
Vendet perëndimore në mënyrë të njëanshme njohën Kosovën si shtet më vete dhe të pavarur, sepse u shkon për shtat, ka thënë shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, në një intervistë për televizionin rus “Zvezda”.
“Perëndimi, në përpjekje për të ruajtur dominimin dhe për të shkuar kundër rrjedhës objektive të historisë, refuzon të drejtën ndërkombëtare. Rregullat shpiken në varësi të detyrës specifike. Kur të jetë e nevojshme, Perëndimi është i gatshëm të njohë pavarësinë e shpallur ilegalisht, pa asnjë referendum, në mënyrë të njëanshme, siç ishte rasti me Kosovën”, tha ai, transmeton Zeri.info.
Lavrovi tha se, kur nuk i përshtatet Perëndimit të njohë një vend, ai nuk e bën këtë.
“Kështu ndodhi me Krimenë”, shtoi shefi i diplomacisë ruse.
Më 2014, Rusia pushtoi dhe më pas aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë nga Ukraina.



