Lamine Yamal do të hetohet nga autoritetet spanjolle

Ministria e të Drejtave Sociale e Spanjës i ka kërkuar zyrës së prokurorit që të hetojë sulmuesin e krahut të Barcelonës, Lamine Yamal. Ka pasur raportime në ditët e fundit se ylli i futbollit ka punësuar njerëz me trup të shkurtër për të performuar në festën e tij për ditëlindjen e 18-të.
Yamali organizoi festën fundjavën e kaluar në një pronë që e mori me qira në Olivella, një qytet i vogël 50 kilometra në veriperëndim të Barcelonës. Në festë ishin të ftuar disa prej shokëve të skuadrës së Barcelonës, figura të njohura të “Youtube” dhe persona me ndikim në rrjetet sociale.
Pretendohet se Yamali angazhoi një grup xhuxhësh për festën e tij. Shoqata e Personave me Akondroplazi dhe Displazi të Tjera Skeletore në Spanjë (ADEE) e përshkroi këtë si “të papranueshme në shekullin e 21-të”.
E kontaktuar nga BBC Sport, Drejtoria e Përgjithshme për Personat me Aftësi të Kufizuara, që është pjesë e Ministrisë së të Drejtave Sociale, tha: “ADEE tashmë ka bërë një padi ligjore. Prandaj drejtoria i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit të hetojë dhe të përcaktojë nëse është shkelur ligji dhe me këtë edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”.



